Lidhje

Obama: Amerika zotohet të jetë partnere e Evropës


Presidenti amerikan, Barak Obama, thotë se Shtetet e Bashkuara duan të jenë partnerë dhe jo padronë të Evropës. Në komentet në qytetin francez të Strasburgut, pas bisedimeve me Presidentin Nikola Sarkozi, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të donin që Evropa të forconte kapacitetin mbrojtës si komponent i një partneriteti më të fortë.

Udhëheqësi francez theksoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, duke nënvizuar se ai dhe Presidenti Obama do të takohen përsëri në qershor në rajonin e Normandisë për të shënuar përvjetorin e zbarkimit të trupave aleate atje. Zoti Sarkozi vlerësoi deklaratën e djeshme të zotit Obama dhe homologut të tij rus Dimitri Medvedev mbi planet për rifillimin e bisedimeve për të zgjatur afatin e traktatit që kufizon armët bërthamore me rreze të gjatë veprimi.

Zoti Obama theksoi nevojën e dialogut me Rusinë, por ai përsëriti gjithashtu kritikat e tij ndaj ofensivës ushtarake ruse në Gjeorgji vitin e kaluar. Presidenti amerikan u ndal edhe tek rëndësia e mbrojtjes së autonomisë së të gjitha vendeve evropiane. Por të dy udhëheqësit nënvizuan rëndësinë e masave për të mos lejuar që Irani të shtjerë në dorë armë bërthamore dhe për të bindur Korenë e Veriut të ndalë planet për hedhjen e një rakete.

Zoti Obama ndodhet në Strasburg për takimin 2-ditor të NATOs. //ad//

XS
SM
MD
LG