Lidhje

Strasburg: Udhëheqësit i japin fund takimit të NATO-s


Presidenti Barak Obama i dorëzoi sot Kroacisë dhe Shqipërisë dokumentin zyrtar të anëtarësimit. Presidenti Obama vlerësoi zgjerimin e NATOs me dy anëtarë të rinj dhe theksoi se dyert e Aleancës do të qëndrojnë të hapura.

"Ndërsa urojmë Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësimin në NATO, dua të theksoj se kjo nuk është hera e fundit kur pranojmë anëtarë të tjerë në Aleancë. Duam që sa më shpejt edhe Maqedonia të bëhet pjesë e NATOs. Dyert e Aleancës do të mbeten të hapura për vende të tjera që gëzojnë standartet e NATOs dhe që mund të japin kontributin e tyre në Aleancë," tha Presidenti amerikan.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap De Hop Skefer uroi Shqipërinë dhe Kroacinë dhe vlerësoi punën e bërë nga këto dy vende për t’u anëtarësuar.

Ndërkohë, Franca dhe Gjermania dhanë mbështetjen e plotë për strategjinë e re të Presidentit Obama për luftën në Afganistan, por vazhduan t'i rezistojnë kërkesave amerikane për më shumë trupa, gjë që i la disi në hije simbolet e bashkimit në takimin e nivelit të lartë me rastin e 60 vjetorit të aleancës. Zonja Merkel dhe zoti Sarkozi theksuan nevojën që qeveria dhe forcat e sigurisë afgane të marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi në vend.

“Presidenti Sarkozi tha se NATO nuk mund të humbasë në Afganistan, pasi një pjesë e lirisë së botës varet nga rezultati i misionit të Aleancës atje. Ne kemi besim tek presidenti Obama.”

Aleanca po kështu zyrtarizoi sot emërimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATOs Anders Fogh Rasmussen. Zoti Rasmussen u zotua se do të jepte maksimumin këtë post.

“Ne sot përkujtuam 60 vjetorin e lëvizjes për paqe më të suksesshme në botë, sot përkujtuam miqësinë gjermano-franceze, unitetin e Europës, dhe partneritetin transatlantik”.

Duke folur me gazetarët pas takimit, sekretari aktual i Aleancës uroi Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësimin në NATO dhe vlerësoi pozitivisht kthimin e Francës në komandën ushtarake të NATOs. Zoti Skefer tha se NATO ka vendosur një misison të ri për stërvitjen e forcave ushtarake afgane. NATO-ja, tha ai, arriti një sërë marrëveshjesh në lidhje me Afganistanin.

Sekretari i NATOs tha se NATO-ja duhet dhe do të bashkëpunojë me Rusinë mbi një sërë çështjesh. Po kështu, tha zoti Skjefer, NATO ra dakord të rishikojë Dokumentin Strategjik të vitit 1999.

XS
SM
MD
LG