Lidhje

Topi: Hyjmë në NATO duke shprehur vullnetin e gjithë shoqërisë


Në një intervistë ekskluzive nga Strasburgu për Zërin e Amerikës, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi tha se anëtarësimi në NATO nuk është thjesht një çështje euforike por fillimi i përgjegjësive të reja.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Afganistani ishte çështja më e rëndësishme dhe Shqipëria sot iu përgjigj Aleancës me një vendim mjaft të shpejtë për dërgimin e trupave shtesë si dhe ndihmë në aspektin social në rindërtimin e Afganistanit. Ishte kjo thjesht një shenjë falenderimi ndaj Shqipërisë që NATO mori për ta anëtarësuar atë në gjirin e saj?

Presidenti Bamir Topi: Natyrisht, detyrimi i parë është të falenderosh. Kjo ka të bëjë me konstitucionin shpirtëror të gjithë shqiptarëve që i dedikohen shumë Aleancës dhe në radhë të parë Shteteve të Bashkuara për këtë suport të vazhdueshëm që i kanë dhënë Shqipërisë për të qënë anëtare me të drejta të plota në NATO. Së dyti, të jesh aleat në Aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë do të thotë të jesh koshient me të gjitha detyrimet që një vend i Aleancës ka në të. Shqipëria ka qënë de fakto praktikisht edhe vite më parë, qoftë në Bosnjë, në Irak, në Afganistan anëtare e Aleancës, por sot ne patëm rastin të konfimojmë de jure futjen e Shqipërisë në NATO, ku asnjë nuk na ka futur me zor, dhe jemi futur duke shprehur një aspiratë të gjerë dhe të thellë të shoqërisë shqiptare ku si një rast unikal me 96% të shoqërisë shqiptare të gjithë kanë dhënë suportin ku Shqipëria të futet në këtë Aleancë të madhe.

Zëri i Amerikës: Zoti President, mendoni se tërthorazi, ky takim i nivelit të lartë i NATO-s dërgon edhe një mesazh bashkëpunimi brenda Shqipërisë, pra mes forcave të saj politike, të cilat mendoj se kanë një reputacion jo të mirë për përplasjet e shpeshta dhe të dëmshme mes tyre.

Presidenti Bamir Topi: Sigurisht, une mendoj që mesazhi i anëtarësimit në NATO është konfirmim i gjithçkaje që është arritur në politikën shqiptare sepse për të ardhur në këtë ditë është kërkuar të kishte një konsensus të gjërë, ajo që është arritur në shoqëri është kërkuar të ndodhë edhe në politikë dhe fatmirësisht kemi pasur një bashkëpunim midis forcave politike për të realizuar reforma bazale të cilat ishin determinante për t'u futur në NATO. Unë mendoj që anëtarësimi në NATO i ngjan një gare me stafeta ku faktikisht dikush do të rri ta presë shiritin, por meritën e kanë të gjithë. Mendoj që kjo është meritë e popullit shqiptar, përfaqësuesve të tij në të gjitha krahët e politikës dhe institucioneve pra ka qënë një vullnet i transformuar në një lëvizje institucionale e cila u kurorëzua me sukses. Kjo do të thotë që Shqipëria sot ka detyrime më të mëdha dhe në fakt detyrimi i parë vjen që institucionet demokratike të forcohen sa më tepër, të rrinë në standartet e vendeve të NATOs, Shqipëria të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të forcojë patjetër të gijtha kapacitetet administrative, Forcat e Armatosura. Ky është një proçes tepër kompleks që sapo ka filluar nga pikëpamja de jure, por jam i bindur që Shqipëria hap pas hapi çdo ditë do të ofrojë në këtë përpjekje madhore të gjitha insticionet të cilat ndjehen mjaft të lumtura sot.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju folët sot për rritjen e rolit të Shqipërisë në Ballkan duke e quajtur atë një vlerë të shtuar. Si përkthehet kjo vlerë e shtuar në terma konkretë?

Presidenti Bamir Topi: Unë mendoj që deri më sot, Shqipëria e ka luajtur rolin moderator në Ballkan, e ka forcuar ndjeshëm bashkëpunimin me vendet e tjera, si bilateral por dhe multilaterale. Të jesh vend i NATOs është një vlerë e shtuar që vjen pikërisht nga emri i kësaj Aleance, siguria që të ofron pjesëmarrja në të. Unë besoj që Shqipëria dhe vendet e tjera janë koshiente që kanë marrë një rrugë drejt euroatlantizmit. Sot Shqipëria dhe Kroacia e realizuan këtë, por edhe vendet e tjera, sikurse u shpreh sot presidenti Obama, pret që edhe Maqedonia do të futet. Besoj se Maqedonia do futet në këtë rrugë. Besoj që paqa për Ballkanin sot është më e fortë dhe do të jetë definitive duke ju larguar përfunimisht të gjithë retrospektivës të luftrave ndëretnike që e patën futur Ballkanin në një kaos të vërtetë. Sot është një ditë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Ballkanin.

Zëri i Amerikës: Zoti Presidenti, ju sapo përmendët nevojën e forcimit të institutioneve. Për të qënë realist dhe duke ju larguar euforisë dhe një gëzimi absoluitisht të ligjshëm për Shqipërinë, Shqipëria u bë anëtare e NATOs falë edhe një zgjedhjeje gjeostrategjike të vetë Aleancës dhe një angazhimi të saj direkt për këtë çështje, por siç thatë dhe ju Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë. Ky anëtarësim natyrisht që do të duhet të nxisë klasën politike, por a mendoni se ajo çështë e vetëdijshme të mos i zvarrisë më këto proçese reformash të cilat kanë nisur me vite dhe duket sikur nuk mbarojnë kurrë.

Presidenti Bamir Topi: Të jesh anëtar i Aleancës do të thotë që jo vetëm të aspirosh të realizosh standartet e vendeve që bëjnë pjesë në këtë Aleancë por edhe të rritet monitorimi, dhe ndjeshmëria. Besoj se ky nuk është thjesht prezantimi i një çështjeje euforike por besoj që është fillimi i një detyrimi më të përgjegjshëm për të realizuar këto standarte. Kjo ka qënë një pronësim i të gjitha palëve. Unë natyrisht flas me cilësinë e Presidentit të Republikës, që jam garant i ligjit dhe kushtetutës dhe duhet të jem mbi të gjitha partitë për të garantuar në radhë të parë interesat e popullit që përfaqëson përmes institutiocneve.

Zëri i Amerikës: Kemi zgjedhje të afërta dhe situata nuk duket dhe aq e këndshme dhe opozita ka vënë në pikëpyetje proçesin. Ky është testi i parë, siç e keni quajtur edhe ju?

Presidenti Bamir Topi: Gjithmonë ka elemente që mund të krijojnë mundësinë për debat. Unë tentoj të shikoj gjërat me objektivitet dhe të shikoj tendencën. Besoj që nuk jemi larg nga dita e zgjedhjeve çka do të thotë që edhe ato gjëra që nuk janë realizuar detyrimisht do të realizohen. Por kam besim që ekzistojnë të gjitha mundësitë që përtej ligjit elektoral që u miratua në një konsensus të gjerë dhe u përshëndet duhet patjetër të realizojmë edhe proçesin e pajisje për karta identiteti. Kjo ka dy anë, nga njëra anë është angazhimi i institucioneve por dhe i vetë partive politike të cilat duhet të bëjnë thirrje që qytetarët që nuk kanë të njëjtin formim të pajisen me karta identiteti, ta konsiderojnë proçesin elektroal si një ditë feste që do t'i sjellë më shumë prosperitet vendit. Dhe, tek e fundit, ne duhet të jemi garantojmë që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme, transparente, partitë të kenë patjetër një vizion të qartë dhe besoj të tillë do ta shpalosin pasi ligji është proporcional, kjo i jep më shumë peshë listave të tyre, programeve të tyre, sesa individëve të veçantë. Mbi të gjitha të kemi zgjedhje të cilat nuk do të kontestohen për të mundur që, edhe në këtë pikëpamje, ne t'i japim fund tranzicionit në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju faleminderit.

Presidenti Bamir Topi: Edhe juve ju falenderoj shumë pasi keni qënë gjithmonë një pikë e rëndësishme e lidhjes edhe të kësaj sfide të madhe që ka pasur Shqipëria për t'u bërë anëtare.//ii

XS
SM
MD
LG