Lidhje

Përfundon takimi i NATO-s: Obama përshëndet  rezultatet


Presidenti amerikan Barak Obama i përshëndeti rezultatet e takimit të NATO-s që përfundoi mbrëmë në kufirin franko-gjemran. Korrespondentja e Zërit të Amerikës na informon se si Presidenti, edhe propozimet e tij për Afganistanin, u mirëpritën me ngrohtësi nga vendet e Aleancës:

Presidenti Obama tha se është i kënaqur që strategjia e tij e re për Afganistanin dhe Pakistanin u mbështet fuqishëm nga aleatët e NATO-s.

"NATO miratoi atë që unë besoj se është një vendim i menduar mirë lidhur me qëndrimin ndaj Afganistanit, por edhe për nevojën për ta trajtuar atë si një çështje komplekse, të Afganistanit dhe Pakistanit njëkohësisht,"- tha ai.

NATO ra dakord të japë më tepër fonde dhe forca për Afganistanin. Aleanca do të merret intensivisht me stërvitjen e ushtrisë dhe policisë afgane. Atje do të çohen një numër më i madh trupash për të ndihmuar për sigurinë në prag që zgjedhjeve kombëtare në Afganistan që do të mbahen në gusht. Po ashtu NATO- do të japë më tepër fonde dhe personel për përpjekjet e zhvillimit të vendit.

"Do të na duhen më tepër burime dhe një përpjekje e përqëndruar për arritjen e synimeve tona përfundimtare. Por dërgimi i trupave, trajnerëve dhe civilëve do të kenë përfitim në afat të gjatë për të ardhmen e misionit tonë në Afganistan, por dhe për të ardhmen e NATO-s", - tha ai.

Presidentin Obama e pyetën në se pjesëmarrësit në takim u përpoqën të gjejnë një lloj lidhjeje mes ndihmës së tyre dhe shfuqizimit të një ligji të ri afgan, për të cilin organizata e të drejtave të njeriut thonë se kufizon të drejtat e grave në komunitetin shiit.

Zoti Obama tha se gjatë takimit u ngritën shqetësime për këtë çështje dhe ai theksoi se ai vetë mendon se ky ligj është i neveritshëm.

"Sigurisht, që pikëpamjet e administratës sonë i janë komunikuar dhe do të vazhdojnë t’i komunikohen qeverisë së zotit Karzai. Mendojmë se është shumë e rëndësishme për ne, që të tregohemi të kujdesshëm ndaj disa çështjeve që kanë të bëjnë me kulturën lokale, por ne gjithashtu mendojmë se ka disa parime bazë, të cilat duhet t’i kenë parasysh të gjithe vendet e botës,"- tha ai.

Por Presidenti gjithashtu theksoi rëndësinë e misionit të NATO-s për të shkatërruar Al Kaidën dhe për t’i parandaluar terroristët që të krijojnë kushte të sigurta për t’u strehuar në rajon.

"Ne duam të bëjmë gjithshka që mundemi për të nxitur dhe mbështetur zbatimin e ligjit, të drejtat e njeriut, arsmimin e grave dhe vajzave në Afganistan, zhvillimin ekonomik dhe atë të infrastrukturës. Por unë dua gjithashtu që njerëzit të kuptojnë se arsyeja e parë për të cilën ne ndodhemi atje është çrrënjosja e Al Kaidës, në mënryë që ata të mos kenë mundësinë të sulmojnë anëtarët e Aleancës," - tha Presidenti.

Ky ishte takimi i parë i zotit Obama me anëtarët e NATO-s dhe ai e bëri të qartë se ishte prekur nga pritja që i bënë udhëheqësit botërorë në tryezën e diskutimeve. Zoti Obama tha se gjatë takimit vazhdimisht kishte parasysh faktin se tiparet e përbashkëta mes vendeve anëtare janë shumë më të mëdha se ndryshimet që ato mund të kenë.//lk



XS
SM
MD
LG