Lidhje

Koreja e Veriut lëshon raketën, pa përfillur kundërshtimet


Koreja e Veriut lëshoi sot një raketë, megjithë paralajmërimet e Japonisë, Koresë së Jugut dhe SHBA-së, që të mos e ndërmarrë një veprim të tillë.

Raketa u hodh sot në orën 11:30 sipas orës lokale. Ajo kaloi mbi Japoni, bëri një ndalesë mbi Detin e Japonisë dhe pastaj ra mbi Oqeanin Paqësor. Zyrtarët japonezë thanë se në territorin e tyre nuk ra asnjë mbetje e raketës.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Fred Lash e konfirmoi hedhjen e raketës, duke thënë se Washingtoni e konsideroi atë si një “veprim provokues”. Washingtoni tha se do të marrë hapa të menjëhershëm, për t’ja bërë të njohur Koresë së Veriut se nuk mund të kërcënojë sigurinë e të tjerëve pa u ndëshkuar.

Ambasadori japonez në OKB i dërgoi menjëherë një letër Këshillit të Sigurimit, ku i kërkonte një takim urgjent për këtë çështje. Koha dhe data e takimit do të bëhen të njohura më vonë. Koreja e Jugut e dënoi hedhjen e raketës, duke e cilësuar një hap të pamatur. Koreja e Veriut thotë se raketa është një satelit komunikimi, por fqinjët e Phenianit dhe SHBA besojnë se prova ishte me një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi.//lk

XS
SM
MD
LG