Lidhje

SHBA urojnë Maqedoninë për zgjedhjet presidenciale


Shtetet e Bashkuara uruan Maqedoninë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe vendore të 5 prillit.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se qytetarët e Maqedonisë dhe autoritetet e saj meritojnë të lavdërohen për zhvillimin me sukses të këtyre zgjedhjeve.

Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara mezi presin të punojnë me zotin Gjorgje Ivanov, i cili do të jetë me sa duket presidenti i ri i vendit, për të ndihmuar Maqedoninë të arrijë sa më shpejt integrimin e plotë euro-atlantik.

Zyrtarë amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara janë dakord me vlerësimet e para të ODIHR-it se këto zgjedhje përbëjnë një përmirësim të rëndësishëm në krahasim me zgjedhjet parlamentare të qershorit 2008.

Megjithëse pati disa shqetësime lidhur me fushatën, tha zëdhënësi, vlerësimet e para të ODIHR-it ishin se zhvillimi i votimeve si më 22 mars edhe më 5 prill, plotësonte shumicën e angazhimeve dhe standardeve të OSBE-së dhe të Këshillit të Europës.

Ambasada amerikane në Shkup dërgoi 25 ekipe vëzhguesish në të gjithë vendin në mbështetje të përpjekjeve të OSBE-së dhe të ambasadave të tjera. //ii

XS
SM
MD
LG