Lidhje

Sondazhi - presidenti Obama gëzon përkrahje të gjerë në Amerikë


Presidenti Barak Obama bëri prezantimin e tij të parë në skenën botërore këtë javë, ndërkohë që vazhdon të gëzojë mbështetje të gjerë edhe në vendin e tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhim Malon sjell hollësi nga Uashingtoni.

Ndërkohë që udhëheqësit botërorë përpiqen ta vlerësojnë vetë presidentin e ri amerikan, ata sigurisht që do të marrin parasysh mbështetjen e gjerë të popullit amerikan për zotin Obama.

Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se mbështetja e publikut për presidentin është mbi 60 përqind, shumë pak më e ulët seç ishte gjatë inaugurimit të tij në janar.

Anketa e fundit kombëtare e zhvilluar nga Universiteti Kuinipiak në Konetikat tregon se 58 përqind e mbështesin zotin Obama ndërsa 31 përqind nuk e mbështesin atë.

Pitër Braun punon në Institutin e Anketave Kuinipiak.

“Pyetja është se si do të ndryshojnë këto shifra me kalimin e kohës, veçanërisht nëse ekonomia nuk e merr veten shpejt. Por tani për tani, amerikanët janë të gatshëm t’i besojnë zotit Obama dhe kjo duket edhe nga përgjigjet e pyetjeve të parashtruara.”

Nuk ka dyshim që rimëkëmbja e ekonomisë mbetet përparësia kryesore e presidentit. Dhe kjo është një çështje që zoti Obama e ka theksuar gjatë udhëtimit të tij të parë në Evropë gjithashtu.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, zoti Obama fitoi reputacionin e një oratori të zotë dhe bindës.

Ky është një talent që ai e ka ruajtur edhe si president, thotë republikani Ken Dubershtain, ish shef stafi i presidentit Ronald Regan.

“Ai ka vazhduar të udhëtojë në gjithë Amerikën, ka vazhduar të zhvillojë takime me qytetarët, dhe të flasë në televizion dhe radio. Ai ka shmangur filtrat dhe i ka folur drejtpërdrejt popullit amerikan duke fituar mbështetjen dhe durimin e tyre.”

Ndërkohë, edhe opozita republikane po përpiqet të përhapë mesazhin e saj, veçanërisht kundërshtimet e tyre ndaj projekt-buxhetit të administratës.

Por deri tani, argumentet e republikanëve duket se po fitojnë vetëm mbështetjen e republikanëve të tjerë, thotë anketuesi Pitër Braun.

“Pak më shumë se një në katër votues kanë mendim të mirë për Partinë Republikane. Këto nuk janë lajme të mira për republikanët dhe kuptohet që në këtë pikë ata nuk llogariten fare nga shumë votues.”

Ekspertët thonë se kjo mund të ndryshojë nëse administrata nuk shënon përparim në rimëkëmbjen e ekonomisë.

Ish ndihmësi i Ronald Reganit, Ken Dubershtain thotë se amerikanët duan që presidenti Obama të ketë sukses.

“Populli amerikan do rezultate të menjëhershme, por mendoj se do të duhet kohë dhe se amerikanët duhet të kenë durim. Por pyetja është se sa kohë do t’i besojnë amerikanët zotit Obama, zgjidhjeve të ofruara prej tij, në mënyrë që t’i japin mundësinë të dalë me sukses?”

Rezultatet e anketave ishin të mira edhe për zonjën e parë Mishel Obama. Një anketë e rrjetit televiziv ABC News dhe gazetës Washington Post tregonte se përkrahja ndaj saj është rritur në 72 përqind nga vetëm 48 përqind që ishte gjatë fushatës presidenciale qershorin e kaluar.//ap.

XS
SM
MD
LG