Lidhje

Presidenti Obama: SHBA nuk janë në luftë me fenë islame


Presidenti Obama po përmbyll vizitën e tij në Turqi që do të jetë edhe ndalesa e fundit në turin e parë europian. Presidenti deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me fenë islame dhe theksoi se partneriteti me botën myslimane nuk mund dhe nuk duhet të bazohet vetëm në luftën ndaj organizatës al Kaeda. Gjatë takimeve në Ankara, zoti Obama vuri në dukje rolin e Turqisë si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit si dhe shprehu mbështetjen e fuqishme amerikane për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Europian, pasi, siç tha zoti Obama, “Ankaraja është një aleate e vendosur dhe e përgjegjshme e Shteteve të Bashkuara dhe Europës”.

Presidenti amerikan Barak Obama deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me fenë islame.

Presidenti po përmbyll vizitën e tij në Evropë me ndalesën e fundit Turqinë në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet amerikano-turke.

Zoti Obama vuri kurora me lule mbi varrin e Mustafa Kemal Ataturkut. Presidenti la një mesazh në librin e vizitorëve.

Pas homazheve, zoti Obama u takua me presidentin turk, Abdullah Gul në Ankara ku foli mbi nevojën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e terrorizmit, Afganistanit, Iranit dhe paqes në Lindjen e Mesme.

“Dua ta bëj të qartë se Turqia nuk është vend i rëndësishëm vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për botën. Siç thuhet shpesh Turqia është ura mes Lindjes dhe Perëndimit. Ky është një vend me tradita të jashtzakonshme, por që gjithashtu ndërthur traditat e lashta me karakteristikat e një shteti modern që respekton demokracionë, sundimin e ligjit dhe po përpiqet për të krijuar një ekonomi moderne”.

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara, megjithëse një vend me shumicë të krishterë e shohin veten si një vend ku respektohet qytetaria, dhe, siç tha zoti Obama, Turqia moderne është themeluar mbi të njëjtat parime.

Duke folur për temën delikate të marrëdhënieve turko-armene, zoti Obama tha se nuk e ka ndryshuar pikëpamjen e tij se Turqia ushtroi gjenocid ndaj popullit armen rreth një shekull më parë, por theksoi se nuk dëshiron që Uashingtoni të ndërhyjë në, siç i quajti zoti Obama, negociatat e frytshme mes Ankarasë dhe Jerevanit.

Presidenti u takua sot me kryeministrin turk Rexhep Tahip Erdogan dhe mbajti një fjalim në parlamentin turk. Presidenti u tha ligjvënësve turq se, si Amerika edhe Turqia përballen me sfida të njëjta si kriza ekonomike, ekstremizmi dhe armët bërthamore. Zoti Obama tha se asnjë shtet nuk mund t’i zgjidhë këto probleme i vetëm.

Presidenti përshëndeti përpjekjet e Ankarasë për të njohur të drejtat e pakicës kurde duke marrë masa si heqja e kufizimeve për transmetimet televizive në gjuhën kurde. Zoti Obama po kështu ofroi mbështetjen e tij për zgjidhjen e statusit të Qipros.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, administrata e zotit Obama ka për qëllim të përmirësojë marrëdhëniet me Turqinë pas ftohjes së viteve të fundit dhe mosmarrëveshjeve mbi luftën në Irak në vitin 2003. //ek

XS
SM
MD
LG