Lidhje

Kosovë: Romët shënojnë ditën ndërkombëtare të tyre


Pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë shënuan sot ditën ndërkombëtare të tyre duke numëruar vështirësitë e jetës dhe me shpresat për ditë më të mira. Autoritetet, që në dhjetor të vitit të kaluar kanë miratuar një strategji për integrimin e këtij komuniteti si dhe ashkalinjëve dhe egjiptasve thanë të mërkurën se zbatimi i saj do të përmirësojë dukshëm gjendjen e tyre.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi tha se romët janë të përfshirë në institucionet më të larta të Kosovës, ndërsa trashëgimia kulturore e këtij komuniteti është një nga vlerat shumë kulturore të vendit.

“Promovimi i kulturës dhe identitetit të komuniteteve kontribuon në pajtimin dhe tolerancën ndërmjet komuniteteve dhe krijon bazën për një proces të vërtetë demokratik që bazohet në parimet ku individët, duke përfshirë minoritetet të njohin dhe respektojnë autoritete e institucioneve”, tha kryeministri Thaçi.

Ministri për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës Sasha Rashiq tha se kremtimi i ditës së romëve duhet të shërbejë edhe për të vlerësuar gjendjen në të cilën ndodhet ku komunitet.

“Të gjithë e dimë se gjendja në të cilën ndodhet komuniteti romë në Kosovë, nuk është më e mira dhe duhet të përmirësohet në shumë fusha”, tha ministri Rashiq duke numëruar forcimin e këtij komuniteti, përmirësimin e kushteve të jetës, qasjen në punësim, arsim dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre.

Kujtim Pacaku, veprimtar i komunitetit rom në Kosovë tha se gjendja e këtij komuniteti në krahasim me vendet fqinje është më e mirë, por ende larg të qenit e kënaqshme. Mijëra pjesëtarë të këtij komuniteti jetojnë në kampe te improvizuara dhe në zona me shkallë të lartë të ndotjes, ndërsa mijëra të tjerë jetojnë në vende të ndryshme të evropes perëndimore.

“Të mbrojmë dëbimin e dhunshëm nga shtet e perëndimit të romëve, po ashtu edhe një jetë më të mirë refugjatëve në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në kampin e Plemetinit. Dashtë zoti, sa më shpejt, ta heqim atë kamp, sepse në këtë shekull, nuk meriton Kosova si shtet më i ri evropian apo botëror të ketë edhe kampe. Këto do të jenë synimet kryesore të komunitetit romë duke dhënë aksent më të madh në edukim, ngase në zyrën e ministrit për edukim, kemi filluar bërjen e “kurrikulumit” të gjuhës rome, ku presim, dashtë zoti prapë e them, që prej këtij shtatori të fillojmë mësimin edhe në gjuhën rome”, thotë zoti Paçaku.

Zyrtarë të organizatave ndërkombëtarë tërhoqën vëmendjen se krahas përpjekjeve të autoriteteve integrimi i romëve varet edhe nga pjesëmarrja aktive e këtij komuniteti. Pakicat jo serbe në Kosovë, janë pjesë e institucioneve politike në vend dhe rrjedhimisht sipas autoriteteve edhe integrimi i tyre është më i lehtë.

Problemi më i madh është integrimi i pjesëtarëve të komunitetit serb të cilët kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe bojkotojnë institucionet e saj, ndonëse pjesa më e madhe e dokumentit të krye negociatorit Martti Ahtisaari në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, u kushtohet pakicave dhe veçanërisht pakicës serbe. //bsa//

XS
SM
MD
LG