Lidhje

Sekretarja Klinton reagon pas komenteve të presidentit iranian


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton shprehu skepticizëm lidhur me pretendimet e Iranit se ka arritur një sukses në programin e pasurimit të uraniumit. Por ajo theksoi se kjo thënie thekson nevojën që Teherani të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve për programin e vet bërthamor. Dje Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinegjat, bëri zyrtarisht përurimin e uzinës së parë për prodhimin e uraniumit, një komponent i nevojshëm për një reaktorin bërthamor. Kjo mund të çojë në prodhimin elementit të plutoniumit, që përdoret për armë bërthmore. Korrespodenti i Zërit të Amerikës njofton nga Kairo se presidenti iranian e shfrytëzoi këtë paraqitje të tij në publik, për të thënë se vendi i tij është i gatshëm të zhvillojë bisedime për programin e tij bërthamor.

Ishte një ditë feste për shumë iranianë, të cilët erdhën për të festuar programin bërthamor të vendit të tyre në ditën të cilën qeveria zyrtarisht e kishte shpallur si Ditë Kombëtare të Teknologjisë Bërthamore.

Presidenti Mahmud Ahmadinexhad përuroi uzinën e re për prodhimin e lëndës djegëse për një reaktorin bërthamor me ujë të rëndë në qytetin Isfahan. Ky veprim mund të rrisë shqetësimet e Perendimit për ambiciet bërthamore të Teheranit.

Deri më tani, Irani ka ndërmarrë hapa vetëm për pasurimin e uraniumit në uzinën e Natanzit për të prodhuar lëndë djegëse për një reaktor bërthamor meujë të lehtë. Prodhimi i lëndës djegëse për reaktorin bërthamor mund t’i japë mundësi Iranit të prodhojë plutonium, një element mund të përdoret në ndërtimin e raketave bërthamore.

Shqetësimet për synimet bërthamore të Iranit janë shtuar, nga refuzimi i tij për të lejuar inspektorët nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore të vizitojnë reaktorin bërthamor.

Gjatë komenteve të bëra me rastin e hapjes së uzinës së re bërthamore, presidenti Ahmadinexhat tha se vendi i tij do të ishte i gatshëm për bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perendimore rreth programit të tij bërthamor, por me kusht që bisedimet të jenë të bazuara në atë që ai i quajti “respekt dhe drejtësi”.

Presidenti Ahmadinexhad më parë ka reaguar ftohtë ndaj ofertës së presidentit amerikan Barak Obama për filluar një dialog me Iranin.
Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara thanë se do të merrnin pjesë në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin për programin e tij bërthamor.Administrata e presidentit Bush kishte refuzuar të merrte pjesë në bisedime të drejpërdrejta, të cilat janë mbajtur mes Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermaninë.

Megjithë fjalimin e presidentit Ahmadinegjat për gatishmërinë e tij për bisedime, ai po ashtu e shfrytëzoi paraqitjen e tij dje, për të dënuar përpjekjet e Perëndimit në prishjen e programit bërthamor të Iranit.

Ai tha se Perendimi ka përdorur çdo mënyrë të mundshme të presionit, nga institucionet ndërkombëtare si Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, e deri tek presioni ekonomik, apo sanksionet për të ndaluar Iranin të ecë përpara me programin e tij bërthamor. Përkundër gjithë këtyre pengesave, ne kemi pasur sukses, tha ai, falë shkencëtarëve dhe të rinjve tanë.

Eksperti iranian, Meir Jevadanfar, nga Qendra për Analiza Politike dhe Ekonomike për Lindjen e Mesme në Tel Aviv, tha se zoti Ahmadinexhad mund të jetë duke përdorur politika të linjës së ashpër në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, të cilat do të mbahen në qershor.

“Duke gjykuar në atë që kam dëgjuar, egziston një masë e përgatitjeve parazgjedhore në këto veprime. Zgjedhjet do të mbahen së shpejti, dhe ne e dinim që nga muaji shkurt se Irani mund të prodhojë lëndë djegëse bërthamore. Kjo nuk është asgjë e re. ”

Ceremonia e djeshme e festimit të Ditës Kombëtare të Teknologjisë Bërthamore, ka filluar të shënohet që nga viti 2006, kur Irani realizoi për herë të parë pasurimin e uraniumit në uzinën e Nantanzit.

Që prej asaj dite, besohet se Irani ka pasuruar sasi të mjaftueshme uraniumi për të ndërtuar një bombë—edhe pse së pari uraniumi do të duhej të pasurohej edhe më shumë, dhe nuk dihet në se Irani ka perfeksionuar teknika të tilla.

Pas ceremonisë së djeshme në Iran me pjesëmarrjen e Presidentit iranian Ahmadinexhad, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton komentoi për këtë çështje.

"Nuk dimë ç’të besojmë për programin bërthmor të Iranit," - tha ajo.

"Kemi vite që dëgjojmë vlerësime nga më të ndryshmet. Një nga arsyet që ne po marrim pjesë në bisedimet e 5 plus njëshit, është që ta detyrojmë Iranin të përmbushë detyrimet ndërkombëtare, si për t’u siguruar që Agjencia Botërore e Energjisë Bërthamore është një burim i besueshëm infromacioni. Kjo për faktin se ekziston një hendek i madh mes përfundimit të arritur prej kësaj agjencie 6-7 javë më parë dhe thënieve të tanishme të iranianëve," - tha zonja Klinton.

Në mesin e shkurtit, Agjencia Botërore e Energjisë Bërthamore publikoi një raport, sipas të cilit Irani kishte rreth 4 mijë centrifuga në punë e sipër në uzinën e Natanzit dhe rreth 1 mijë e 500 të tjera që ishin duke u provuar.//ap

XS
SM
MD
LG