Lidhje

Një raport për Ballkanin thotë se UÇK-ja kishte burgje sekrete në rajon


Përfaqësues politikë dhe humanitarë në Kosovë, thanë të enjten se do të mbështesin çfarëdo hetimesh që mund të bëhen për ndriçimin e pohimeve mbi ekzistimin e burgjeve dhe kampeve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komentet e tyre pasuan shkrimet e shërbimit botëror të BBC-së dhe Rrjetit Ballkanik për gazetari hulumtuese, sipas të cilave Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka abuzuar me të drejtat e civilëve në Kosovë, ka keqtrajtuar dhe në disa raste edhe ka vrarë.

Hulumtimet e gazetarëve morën në shqyrtim edhe pretendimet se disa prej personave që u mbajtën në Shqipëri, ishin vrarë për t'u marrë organet, një pohim ky i ngritur me herët edhe nga ish kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Karla del Ponte në librin e saj “Gjuetia“.

Në fund të muajit të kaluar, u tha se një dosje e hartuar nga prokurorë serbë në Beograd rreth kësaj çështjeje, u është dorëzuar zyrtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë. Përgjegjësi për çështje të drejtësisë në misionin e EULEX-it, Alberto Perducca nuk ka pranuar të flasë me hollësi nëse një dosje e tillë është apo jo në duart e këtij misioni, por ka nënvizuar se krimet e luftës janë në përgjegjësi të misionit të tij. Përfaqësuesit politikë në Kosovë, kanë hedhur poshtë pohimet për ekzistimin e kampeve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një nga ish udhëheqësit politikë të kësaj ushtrie Xhavit Haliti i tha “Zërit të Amerikës” se ka pasur mundësi të gabimeve të bëra nga individë gjatë luftës, por duhet pasur parasysh se zinxhiri komandues i ish Ushtrisë Çlirimtare nuk ishte i njëjtë me ushtritë e tjera si ta zëmë asaj serbe me të cilën është luftuar në Kosovë.

“Me sa di unë si përfaqësues politikë i UCK-së ne nuk kemi pasur raste të tilla, ose nuk kemi pasur vendime të tilla në nivelet të lartë komanduese, ose në nivelet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës”.

Zoti Haliti thotë se do të ishte shumë me rëndësi sikur institucionet e vendit të kishin mundësi për të ndihmuar ndriçimin e fatit të të gjithë atyre që kanë pësuar gjatë luftës së fundit.

”Situatë është e tillë se duke mos pasur shënime të sakta dhe duke qenë i shkëputur nganjëherë zinxhiri komandues, ose komandat lokale nga veprimet individuale, sjellin probleme që na e vështirësojnë edhe neve si institucione me thënë që ka ngjarje të tilla, ka raste të tilla, apo nuk ka raste të tilla."

Zëri i Amerikës: Por, a jeni të gatshëm të bashkëpunoni në një hetim të mundshëm për këto raste?

“Unë jam i bindur se institucionet e Kosovës edhe ato të Shqipërisë, duhet të bashkëpunojnë me gjykatat ndërkombëtare, duhet që maksimalisht të përpiqen me i zgjidhë këto probleme, sepse është në interesin e Kosovës, është në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe në këtë rast po them jo vetëm të shqiptarëve, por edhe në interesin e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë sepse ne bashkë me ta duhet të punojmë dhe duhet të jetojmë këtu...Unë në këtë rast do të përfitojë nga besimi që kam tek njerëzit tanë që edhe në rrethanat kur ata nuk kanë guxim që të thonë ‘këtu gjenden eshtrat e dikujt’, është mënyrë që në mënyrë anonime institucioneve të Kosovës t’ju ndihmojnë për vendet se ku mund të jenë personat, në qoftë se janë diku të vendosur ose të varrosur, siç po pretendohet”.

Zoti Haliti hodhi sërish poshtë çdo mundësi të trafikimit të organeve të peronave të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Këto pohime janë hedhur poshtë edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe lirive të njeriut i cili është duke përgatitur një monografi për viktimat e luftës në Kosovë. Behxhet Shala nga ky Këshill thotë se monografia sjellë të dhëna të sakta për të gjitha palët.

”Në Kosovë gjatë luftës fundit janë vrarë 297 serb, janë të zhdukur diku afër 400 serb dhe dikush duhet të jap llogari edhe për vrasjen e civilëve serbë, por edhe të jap informacione se çfarë fati kanë pësuar serbët e zhdukur. Është interesant se kurrë nuk ka qenë një interesim kaq i madh i bashkësisë ndërkombëtare ta zëmë për identifikimin e shqiptarëve, për shqiptarët e zhdukur, po tash është një angazhim jashtëzakonisht i madh i të gjithëve... Te shqiptarët llogaritet që kanë së paku 1500 të zhdukur, janë të vrarë 8509 civilë shqiptarë. E kam fjalën për periudhën 1 janar 1998 e deri ne ditën kur ka hyrë KFOR-i në Kosovë (12 qershor 1999).”

Autoritetet në Kosovë i kanë hedhur poshtë në vazhdimësi pohimet e nxjerra nga ish kryeprokurorja Carla del Ponte, aktualisht ambasadore e Zvicrës në Argjentinë. Ata thonë se do të bashkëpunojnë me këdo që dëshiron të kryejë hetime të paanshme rreth kësaj çështjeje, një kërkesë kjo e përfshirë edhe në raportet e disa organizatave ndërkombëtare. //bsa//

XS
SM
MD
LG