Lidhje

Antarktika dhe Ngrohja Globale



Ky vit shënon 50-vjetorin e Traktatit të Antarktikës i cili u krijua për të ndihmuar në mbrojtjen e kontinentit të ngrirë. Diplomatët, shkencëtarë dhe zyrtarë të tjerë nga vendet anëtare të traktatit po takohen këto ditë në Baltimorë të shtetit Merilend për të diskutuar çështje të ndryshme, duke përfshirë ndikimin e ngrohjes globale tek mjedisi i brishtë i kontinentit.

Gjëja e parë që të bie në sy kur arrin në Gadishullin e Antarktikës është se ai nuk është i mbuluar me borë dhe akull siç mendojmë.

Aty ka më shumë tokë djerrë se sa borë.

Dhe siç shpjegon Dr. Mikail Andrev, i Stacionit rus Belinghausen, në mes të ngjyrave të zeza, kafe, gri dhe bardhë ka filluar të shihet edhe pak e gjelbërt.

“Kjo bimë ishte e rrallë këtu. Tani mund ta gjejmë kudo. Është një vend që është krejt i mbuluar me bar.”

Për shkak të ndryshimit të shpejtë të kushteve klimatike, ata mund të lulëzojnë tani në gadishull dhe kanë filluar të zënë vendin e florës dhe faunës i cili nuk përshtatet me këtë ekosistem kaq të brishtë.

Speciet e reja konsiderohen një tregues i frikshëm i asaj që mund të ndodhë në Antarktikë. Dikur një rajon që konsiderohej shumë i thatë, tani niveli i lagështisë po rritet çdo vit dhe zona po bëhet me klimë më të moderuar.

Të dhënat shekullore tregojnë se e vetmja gjë që binte atje ishte bora. Por Hose de Medeiros në programin e Brazilit për Antarktikën thotë se në verë janë vërejtur prirje të reja.

“Bie shi thuajse çdo ditë. Para 10-20 vjetësh nuk do të kishte rënë kurrë shi.”

Moti është tema kryesore e studimeve në më shumë se 60 baza kërkimore që ndodhen në Antarktikë.

Çdo ditë, shkencëtarë si Tais Santos zhvillojnë eksperimente që lidhen me ndikimin e ngrohjes globale.

“Këtu masim rrezet ultraviolet për të parë ndikimin dhe intensitetin e tyre në stacionin Ferras.”

Shkencëtarët thonë se shtresa e holluar e ozonit mbi Polin e Jugut bën që ndryshimet klimatike të jenë më të mëdha në Gadishullin e Antarktikës. Ata vlerësojnë se ndryshimet ndodhin këtu tre herë më shpejt se në vende të tjera.

Për këtë arsye, thotë Iv Freno nga Instituti Polar Francez, shkencëtarët e vëzhgojnë këtë zonë kaq me kujdes.

“Gjatë 50 viteve të fundit, ne vlerësojmë se temperatura në Antarktikë është rritur me 2-3 gradë. Kjo është rritje shumë e madhe në krahasim me ndryshimet e mëparshme.”

Rritja është e madhe në raport me vendet e tjera të botës ku shkencëtarët thonë se janë dashur më shumë se 3 mijë vjet për të arritur të njëjtën ngritje temperature.

Kreu i Institutit Antarktik të Kilit, Hose Retamales thotë se provat se kontinenti po ndryshon janë të dukshme.

“Copa të mëdha akulli zhduken në ujë brenda pak javëve. Kjo nuk është normale, dhe nuk ka ndodhur më parë. Kjo do të thotë se ndoshta se po të rritet temperatura edhe me një gjysëm grade, ndryshimet do të ishin të mëdha.”

Zoti Freno thotë se ngrohja është shqetësuese veçanërisht për faktin se zonat polare njihen si paraprirëse të ndryshimeve që kanë ndodhur në botë.

“Rajonet e Arktikut dhe Antarktikës janë shumë të rëndësishme në dinamikën e ozonit dhe makinerinë klimatike në nivel global, dhe çdo ndryshim në Arktik apo Antarktikë do të ndikonte në klimën globale.”

Meqenëse ndryshimet ndodhin më shpejt në Antarktikë, shkencëtarët besojnë se duke vëzhguar ç’ndodh në këtë zonë, ata do të mund të parashikojnë çfarë mund të ndodhë në vende të tjera të botës.

Dhe nëse do të jetë e mundur, të gjejnë mënyra për t’i ngadalësuar apo parandaluar këto ndryshime. //rd//

XS
SM
MD
LG