Lidhje

Presidenti Obama dallon "rreze shprese" tek ekonomia amerikane


Presidenti Barak Obama tha se ekonomia amerikane në krizë po fillon të shfaqë “rreze shprese”, por kostoja e përpjekjeve të fuqizimit e ka çuar buxhetin qeveritar në nivele të larta rekord.

Zoti Obama i bëri komentet dje në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit me këshilltarë dhe zyrtarë të lartë ekonomikë. Ai tha se ekonomia mbetet “nën stres të theksuar” dhe se administrata “ka ende shumë punë për të bërë”, për të rikthyer rritjen ekonomike dhe për të ndalur shkurtimin e vendeve të punës.

Por në një raport të Rezervës Federale, siç njihet ndryshe Banka Qendrore e SHBA-së, thuhej se kostoja e përpjekjeve qeveritare për rimëkëmbjen ekonomike e ka rritur buxhetin federal në 956.8 miliardë dollarë, vetëm gjatë gjysmës së parë të viti fiskal 2009, që filloi në tetorin e kaluar. Defiçiti buxhetor u përkeqësua, ndërsa recesioni bëri që të pakësohet sasia e taksave ndaj të ardhurave, që e mbledh qeveria.

Presidenti Obama: Çfarëdo vendimi që të marrim, duhet patur parasysh ekonomia

Takimin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë me ekipin e tij ekonomik, me fokus eknominë, pas kthimit nga turneu një-javor në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, Presidenti Obama e quajti një bisedë tepër interesante.

Zoti Obama përmendi me këtë rast shtimin e numrit të pronarëve të shtëpive, që kërkojnë ta rifinancojnë kredinë e marrë nga banka dhe tha se sheh një rreze shprese për ekonominë, por megjithatë, ai theksoi se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

"Ekonomia vazhdon të jetë nën një stres të madh. Dhe gjatë Pashkëve të këtij viti, duhet të mbajmë në mendje se çfarëdo vendimi që marrim, duhet të ndikojë tek rritja ekonomike, tek krijimi i vendeve të punës dhe shtimi i të ardhurave për popullin amerikan,"- tha ai.

Zoti Obama i bëri këto komente pasi u takua me Drejtorin e Bankës Qendore Ben Bernanke, me rregullatoren e Bankës Shaila Blair, me ekipin e tij ekonomik të kryesuar nga Sekretari i Thesarit Tim Gajtner, si dhe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar për Ekonominë, Larri Samërs.

Një numër përherë e më i madh ekonomistësh janë duke shprehur optimizëm për ekonominë amerikane, me besimin se ajo mund të rimëkëmbet nga ai që është cilësuar si Depresioni më i thellë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Recesioni i ekonomisë amerikane filloi në dhjetor të vitit 2007. Këtë vit pritet që rritja ekonomike të jetë negative dhe ritmi i papunësisë, që aktualisht është 8,5 për qind, pritet të rritet në ndoshta 10 për qind deri në fund të vitit.

Megjithëse problemet vazhdojnë, zoti Obama tha se ai po fillon të shohë përparim dhe se është i bindur që ekonomia do të rimëkëmbet.

Një javë më parë, gjatë vizitës së tij në Londër, zoti Obama mori pjesë në takimin urgjent të udhëheqësve të 20 ekonomive më të mëdha të botës.

Grupi i 20-ëshes u zotua se do të bashkëpunojë për nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike globale dhe udhëheqësit thanë se do të bëjnë gjithshka të mundur që kjo të arrihet.

Si SHBA, edhe Kina, kanë marrë masa qeveritare për shpenzime masive, me synimin për të stimuluar kërkesën e konsumatorëve dhe Japonia këtë javë bëri të njohura masa të reja, po në këtë aspekt.//lk



XS
SM
MD
LG