Lidhje

Gjykata e Hages dhe sfidat me të cilat ajo përballet

  • Liza Brajant

Vetëm katër muaj pasi Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve nisi gjykimin e saj të parë, autoriteti i saj po sfidohet, pasi presidenti sudanez Omar al-Bashir po i bën qëndresë një urdhërarresti ndaj tij, ndërsa kritikë afrikanë thonë se Gjykata është e njëanshme. Korrespondentja Liza Brajant nga Haga i hedh një vështrim misionit dhe pengesave me të cilat po përballet gjykata e parë e përhershme e krimeve të luftës.

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, e krijuar në vitin 2002 me seli në Hagë është një prej disa gjykatave të krijuara pas ngjarjeve të tmerrshme, si gjenocidi i vitit 1994 në Ruanda, vrasjet në masë në Sierra Leone dhe ish Jugosllavi. Kjo është Gjykata e parë me mandat botëror, ndonëse vetëm vendet anëtare të saj u përgjigjen urdhërave të Gjykatës.

Kryeprokurori i Gjykatës, Luis Moreno-Okampo, thotë se ndonëse Gjykata është në vitet e para, ka nisur të japë rezultate.

"Në pesë vite punë kemi pasur rezultate. Kemi hapur hetime në shkallë botërore. Kemi dënuar fajtorët dhe kemi arrestuar katër prej tyre. Ata janë udhëheqës të forcave milicore që kanë kryer krime. Dhe kemi 13 persona të tjerë që akuzohen për krime në 4 vende. Ne po tregojmë që Gjykata po funksionon,"- thotë ai.

Rasti i parë i gjykuar nga kjo Gjykatë nisi në muajin janar kundër udhëheqësit kongolez Tomas Lubanga. Ish nënpresidenti i Republikës Demokratike të Kongos Zhan-Pierr Bemba, po kështu po përballet me akuza për krime lufte dhe është ndaluar nga Gjykata. Gjykata ka lëshuar urdhërarreste edhe për kreun e grupit të Ushtrisë së Qendresës së Ugandës, Xhozef Koni, i cili ndodhet ende i lirë.

Por rasti më i famshëm deri më tani i Gjykatës ka të bëjë me presidentin e Sudanit, Omar al-Bashir, i cili ka vazhduar udhëtimet në disa vende afrikane dhe arabe, megjithë urdhërarrestin ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga kreu i Gjykatës Moreno-Okampo në fillim të muajit të kaluar. Ekspertë të ligjit ndërkombëtar, si Anthoni Duorkin, thonë se fakti që zoti Bashir po e injoron urdhërarrestin dhe nuk po kapet, tregon kufizimet që ka Gjykata.

Zoti Duorkin po kështu thekson kritikat gjithnjë e në rritje në kontinentin afrikan se Gjykata është e njëanshme, pasi po merret vetëm me çështje afrikane.

"Në Afrikë, Gjykata po shihet gjithnjë e më tepër si një instrument që po përdoret kryesisht kundër vendeve afrikane. Besoj se kjo është shumë e rrezikshme dhe e pavërtetë. Ligji kërkon që shtetet anëtare të respektojnë vendimet e Gjykatës. Dhe në të vërtetë, në tre raste, përveç atij të Darfurit kundër presidentit Bashir, vendet kërkuan vetë që Gjykata të hynte në shtetet e tyre dhe të monitoronte situatën atje”- thotë ai.

Edhe kryeprokurori Moreno-Okampo po kështu thotë se Gjykata po mban anën e vendeve afrikane, pasi po mbron viktimat e krimeve në Afrikë. Kjo përfshin konfliktet në Darfur të Sudanit, për të cilin kryeprokurori fajëson zotin Bashir.

Gjykata përballet edhe me sfida të tjera, njëra prej të cilave është anëtarësimi në organizatë. Një numër vendesh me rëndësi si Rusia, Kina dhe India nuk i janë bashkuar Gjykatës. Këtë nuk e ka bërë as shteti amerikan dhe është e paqartë nëse kjo politikë do të ndryshojë me administratën e re.

Çështja e juridiksionit të Gjykatës është ngritur edhe në lidhje me Autoritetin Palestinez që i kërkoi sivjet Gjykatës Ndërkombëtare të zhvillonte hetime mbi ofensivën izraelite në Gazë. As Autoriteti Palestinez as Izraeli nuk janë anëtarë të Gjykatës dhe Autoriteti Palestinez nuk njihet ndërkombëtarisht si shtet.

Zoti Moreno-Okampo thotë se po pret më shumë informacione para se të vendosë, por ekspertët dyshojnë nëse Gjykata do ta trajtojë këtë çështje. Prokurori thotë se sot, më shumë se kurrë, nevojitet një sistem ndërkombëtar i drejtësisë.

"Nëse dikush do ta përdhunonte dhe vriste vajzën time, askush nuk mund të më detyronte të pajtohesha me vrasësin dhe ta doja atë. Por unë nuk mund ta vras atë. Kështu ligjet bëjnë të mundur që njerëzit, edhe nëse janë armiq mes tyre, të jetojnë së bashku. Dhe në ditët e sotme, ku bota është shumë e ndërlidhur, na duhet një sistem i ri për të manaxhuar dhunën,”- thotë Prokurori.

Kryeprokurori Okampo thotë se prokurorët ka gjasa të përmbyllin pjesën e parë të seancës kundër udhëheqësit kongolez Lumbanga brenda muajit maj. Ai pret që Gjykata të japë dënimin në lidhje me këtë çështje brenda fundit të këtij viti.//lk

XS
SM
MD
LG