Lidhje

Media elektronike dhe hapësira që iu dha në takimin e Londrës


Një projekti të veçantë të forumeve në internet iu dha qasje si asnjëherë tjetër në takimin e fundit të 20-shes në Londër. "G20Voice", një bashkim i disa prej forumeve më të suksesshme të internetit, iu dha leje nga qeveria britanike të ulej përkrah medias tradicionale, po aq pranë krerëve të shteteve dhe qeverive. Pjesëtarët e forumeve elektronike thonë se puna e tyre u jep miliona njerëzve mundësinë të kontribuojnë në këtë takim.

Një projekt i veçantë i forumeve të internetit ishte në qendër të vëmendjes për sa i përket ndikimit në rritje të epokës së re të medias elektronike. “G20Voice”, i cili përbëhet prej 50 forumeve kryesore të internetit në botë iu dha qasje tek pjesëmarrësit e 20-shes në Londër.

Projekti u fillua nga një bashkim organizatash joqeveritare, të cilat i kërkuan Britanisë t’i lejonte drejtuesit e forumeve elektronike të merrnin pjesë si një burim alternativ i medias tradicionale.

Qeveria britanike e miratoi kërkesën dhe "G20Voice" solli në takim administratorë nga 22 vende, që përfaqësonin një audiencë globale prej më shumë se 14 milionë lexuesish dhe pjesëmarrësish përmes internetit.

Ideja ishte që zëri i njerëzve të arrinte deri tek majat e udhëheqjes, thotë drejtuesi i projektit Shejn Mekkraken:
“Deri tani, media tradicionale ka pasur monopolin e informacionit nga takimet zyrtare qeveritare. Tani forumet e internetit janë rritur aq shumë sa po arrijnë ta thejnë këtë monopol.”

Këto lloj forumesh përfaqësojnë një gamë të gjerë interesash dhe platformash mediatike.
Sem Graham-Felsen, pjesëtar i forumit elektronik të fushatës presidenciale të Barak Obamës, thotë se këto mjete të reja informimi do të luajnë një rol më të madh në të ardhmen.

“Forumet elektronike kanë shpesh audienca më të mëdha se sa mediat tradicionale, dhe ata e japin informacionin në mënyrë më të drejtpërdrejt, gjë që nuk shihet gjithmonë tek mjetet e tjera informative.”

Rouan Dejvis shkruan për "mumsnet", një faqe elektronike për prindërit. Ajo thotë se audienca e saj donte që udhëheqësit e G-20-ës të trajtonin çështjen e shëndetit të foshnjeve para lindjes, arsimimin e vajzave dhe mundësitë ekonomike të grave në vendet në zhvillim. Takimi i 20-shes ishte për të një mundësi për ndryshim.

“Vetëm ideja se mund të jemi në një dhomë me Barak Obamën ishte fantastike. Kjo ishte edhe mundësi për t’i angazhuar njerëzit që ndryshe nuk do ta konsideronin takimin edhe aq të rëndësishëm.”

Në grupin e forumeve kishte edhe ambjentalistë. Tod Lusier drejton një forum mbi ndryshimin e klimës. Ai thotë se forumi i krijoi mundësinë audiencës së tij të japë mendimin e vet gjatë takimit.

“Edhe pse audienca është e shpërndarë në të gjithë botën, ajo i merr lajmet përmes telefonit dhe ndjek gjithçka drejtpërdrejt. Kjo nuk ka ndodhur më parë që forumet të ndihmojnë në përhapjen e informacionit kudo në botë.”

Zoti Lusier thotë se forumet e internetit kanë tërhequr vëmendjen e udhëheqësve botërorë për shkak të aftësisë së tyre për të tërhequr lexuesit.

Dhe sidomos në një kohë kur shtypi dhe televizioni kanë probleme financiare, nuk është çudi që media elektronike ishte e mirëpritur në takimin e Londrës.//lk


XS
SM
MD
LG