Lidhje

Familja presidenciale pret fëmijët për ceremoninë e vezëve


Presidenti amerikan Barak Obama dhe familja e tij organizuan sot në Shtëpinë e Bardhë veprimtarinë e përvitshme të mbledhjes së vezëve të Pashkëve në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Kjo traditë e ka zanafillën që nga viti 1878. Zoti Obama u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve: fëmijë dhe prindërit e tyre, duke thënë se ky aktivitet u kujton amerikanëve faktin se rezidenca e presidentit është edhe shtëpia e popullit.

Në komentet para garës tradicionale për rrokurrisjen e vezëve, zonja e parë Mishel Obama u bëri thirrje të pranishmëve të përpiqen për një jetë të pasur me aktivitete fizike në të mirë të shëndetit.

Ylli i muzikës pop, Fergie, i hapi festimet me interpretimin e himnit kombëtar. Fëmijët patën rastin të shëtisin në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë para se të fillonin aktivitetet, ku përveç rrokullisjes së vezëve kishte edhe lojë basketbolli dhe futbolli.

Shtëpia e Bardhë thotë se ishin përgatitur 13 mijë vezë, të gjitha të dhuruara nga ferma vezësh amerikane, dhe se pritej të merrnin pjesë 30 mijë familje nga 45 shtete dhe kryeqyteti, Uashington. Aktivitetet u transmetuan drejtpërdrejt përmes faqes së internetit të Shtëpisë së Bardhë.

Tradita e mbledhjes së vezëve filloi gjatë administratës së presidentit Rutherford Hayes. Gjatë viteve ka pasur disa ndërprerje, si rezultat i motit të keq si dhe gjatë periudhës së Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.//lk


XS
SM
MD
LG