Lidhje

Presidenti Obama: Ka shenja se ekonomia  amerikane po përmirësohet


Presidenti Obama thotë se në vend po shihen shenjat e para të rimëkëmbjes ekonomike. Por, ai po kështu paralajmëroi se proçesi vetëm ka nisur dhe se situata do të vazhdojë të jetë e vështirë.

Ndërsa administrata Obama po i afrohet 100 ditëve në detyrë, Presidenti foli para amerikanëve duke bërë një vlerësim të ekonomisë amerikane. Ai tha se masat e marra nga administrata e tij në muajt e para po sjellin rezultate. Por, Presidenti pranoi se 2009 do të jetë një vit i vështirë.

“Padyshim situata është e vështirë. Nuk e kemi kaluar ende pjesën më të vështirë. Por kemi nisur të shohim rreze shprese”.

Duke folur në universitetin “Georgetown” në Uashington, Presidenti foli me nota optimiste, por edhe realiste mbi gjendjen e ekonomisë. Ai foli me detaje mbi masat e marra për nxitjen e ekonomisë, shtimin e kredive në treg si dhe rregullimin e sistemit financiar.

"Të gjitha këto masa, Akti i Rimëkëmbjes, kapitalizimi bankave, plani për kreditë e shtëpive, forcimi i tregjeve jobankare të kreditimit, plani për industrinë e automjeteve si dhe vendimet gjatë takimit të G20-shes, do të jenë të nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike”.

Presidenti vuri theksin mbi bazat e ekonomisë amerikane duke thënë se baza e re e ekonomisë duhet të jetë e fortë.

Presidenti Obama tha se vendosja e një baze më të fortë do të kërkojë rregulla të reja për funksionimin e Uoll Stritit si dhe investime të reja në fushat e arsimit, energjisë ambjentaliste dhe përkujdesja shëndetësore.

Kritikët thonë se Presidenti po ndërmerr tepër shpenzime në këto kohë të vështira ekonomike. Ai tha se ky këndvështrim është i ngushtë, pasi, siç tha ai, “vendi ka nevojë për dëshirën e mirë politike për të marrë vendime të vështira”.

"Duhet të qeverisim në kohë të vështira. Dhe kjo kërkon një ndjenjë përgjegjësie për veten, për votuesit tanë si dhe për brezat e ardhshëm jetët e të cilëve do të preken për mirë ose për keq nga vendimet tona”.

Ndërkaq, shefi i Bankës Qendrore amerikane përsëriti disa nga komentet e zotit Obama gjatë një fjalimi të mbajtur dje. Zoti Ben Bernanki tha se ka pasur shenja se rënia e fuqishme e aktiviteteve ekonomike mund të jetë duke u ngadalësuar.

Por, ai po kështu vuri në dukje faktin se një rimëkëmbje e qëndrueshme do të varet nga aftësia për të stabilizuar tregjet finaciare dhe për rritjen e kredisë në treg. //ek

XS
SM
MD
LG