Lidhje

SHBA do të përpiqen të bllokojnë pasuritë e piratëve somalezë


Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin përpjekje të reja për të gjetur dhe bllokuar pasuritë e piratëve somalezë.

Zonja Klinton tha në Uashington se piratët somalezë përdorin paratë që nxjerrin nga rrëmbimi i anijeve për të blerë armë gjithnjë e më të sofistikuara. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë përpjekjet për gjetjen e këtyre parave ashtu siç bëjnë edhe me trafikantët e drogës dhe me grupet terroriste.

Sekretarja e Shtetit tha se shpreson që shtimi i akteve të piraterisë ditët e fundit, duke përfshirë sulmet ndaj dy anijeve me flamur amerikan, do të jenë katalizator për veprime të koordinuara kundër piratëve.

Ajo tha gjithashtu se shpreson që kjo t’i japë fund praktikës së pagesës së shpërblesave ndaj piratëve si çmim për transportin e mallrave përgjatë brigjeve lindore të Afrikës. Shtetet e Bashkuara, tha ajo, nuk do të bëjnë lëshime dhe nuk do t’u paguajnë para piratëve. //ii

XS
SM
MD
LG