Lidhje

Pres. Obama përgatitet për takimin e nivelit të lartë të dy Amerikave


Presidenti Barak Obama shkon të enjten në Meksikë dhe më pas vazhdon udhëtimin në Trinidad dhe Tobago për takimin e pestë të nivelit të lartë të dy Amerikave. Shqetësimet e sigurimit përgjatë kufirit SHBA-Meksikë pritet të kryesojnë diskutimet e zotit Obama me presidentin meksikan Filipe Kalderon, ndërsa takimi i nivelit të lartë i jep atij mundësinë për të rigjallëruar lidhjet mes Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut dhe të farkëtojë një përgjigje rajonale ndaj rënies së ekonomisë globale. Pritet që në takim presidenti Obama të gjendet përballë trysnisë për t’u dhënë fund marrëdhënieve armiqësore gati 50 vjeçare me Kubën.

Lufta e përgjakshme mes forcave meksikane të sigurisë dhe karteleve të drogës që ka përfshirë shtetet e Meksikës përgjatë kufirit me Shtetet e Bashkuara nuk ka shenja se do të përfundojë shpejt. Dhe kjo dhunë e lidhur me drogën pritet të jetë pika kryesore e diskutimeve mes presidentit Obama dhe presidentit Kalderon në qytetin Meksiko nesër.

“Kemi problemin e dhunës dhe krimit të organizuar që duhet ta luftojmë. Kjo kërkon angazhimin e të dyja vendeve. Dhuna dhe krimi janë probleme jo vetëm të Meksikës ashtu siç e ka pohuar edhe presidenti Obama. Ato janë probleme të përbashkëta me të cilat përballemi së bashku.”

Nga ana e tij, presidenti Obama ka pranuar se etja e Amerikës për drogë e ushqen këtë tregti dhe se armët amerikane po përfundojnë në duart e trafikantëve.

“Ne duhet të pakësojmë kërkesën për drogë. Ne duhet të bëjmë atë që na takon për të pakësuar rrjedhën e parave dhe armëve në Meksikë.”

Të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë mënyrat për të forcuar sigurinë në të dyja anët e kufirit, si dhe çështje të tregtisë bilaterale dhe shqetësimet e imigracionit. Shumë nga 12 milionë imigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara janë meksikanë. Zoti Obama ka premtuar të reformojë sistemin e imigracionit por nuk ka dhënë ende hollësi për të. Nga Meksika, zoti Obama shkon në Trinidad ku do të marrë pjesë në takimin e pestë të nivelit të lartë të Amerikave – një mbledhje e të gjithë udhëheqësve të hemisferës Perëndimore, me përjashtim të Kubës.

Sprapsja e rënies ekonomike globale dhe parandalimi i shtimit të varfërisë janë përparësitë e takimit, sipas ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për marrëdhëniet e Hemisferës Perendimore, Tom Shannon.

“Ne duhet të mbrojmë përparimet sociale që kemi arritur në këtë hemisferë gjatë dekadës së fundit, dhe të garantojmë që mëkëmbja ekonomike e të gjitha vendeve tona nuk bie mbi më të varfërit në shoqëritë tona.”

Por është çështja e Kubës dhe mosmarrëveshjet dhjetra vjeçare me Shtetet e Bashkuara që mund të gjenerojnë lajme nga takimi i nivelit të lartë. Përpara udhëtimit, presidenti Obama hoqi kufizimet për udhëtime dhe dërgimin e parave në Kubë, të vendosura nën administratën e presidentit Bush, megjithëse nuk i dha fund embargos amerikane. Aty mund të ngrihet edhe çështja e mungesës së Kubës në këtë takim. Presidenti i Venezuelës Hugo Chavez dënoi përjashtimin e Kubës nga takimi.

Xhefri Davidou, këshilltari i presidentit Obama për takimin i përgjigjet kështu kësaj çështjeje: “Takimi vazhdon të jetë një kremtim i ndryshimeve themelore në këtë hemisferë krahasuar me shumë peridha në të kaluarën kur hemisfera kishte në fuqi shumë qeveri jo-demokratike. Shtetet e Bashkuara ende shpresojnë të shohin ndryshime në Kubë.”

Takimi i nivelit të lartë zhvillohet ndërkohë që anketat e opinionit publik në Amerikën Latine tregojnë mbështetje më të madhe për presidentin Obama sesa për paraardhësin e tij Xhorxh Bush.

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva: “Presidenti Obama ka një mundësi historike për të përmirësuar marrëdhëniet me Amerikën Latine.”

Përshtypja e përgjithshme është se Shtetet e Bashkuara e hoqën vëmendjen nga shqetësimet e hemisferës pas sulmeve të 11 shtatorit dhe u përqëndruan në luftrat në Afganistan, Irak dhe terrorizmin global.

Vëzhguesit thonë se vizita e ardhshme katër ditore do t’i japë zotit Obama një shans për ta ndryshuar këtë perceptim.

XS
SM
MD
LG