Lidhje

Presidenti Obama vazhdon të ketë popullaritet të madh


Anketat e fundit tregojnë se presidenti Barak Obama vazhdon të gëzojë mbështetje të madhe në publik, ndërsa po u afrohet 100 ditëve të tij të para në këtë post. Popullariteti i presidentit është një sfidë ndaj republikanëve në Kongres, të cilët po përpiqen t’i përshtaten rolit të tyre të ri si një opozitë konstruktive.

Në një shfaqje uniteti partiak, ligjvenësit republikanë që kundërshtojnë buxhetin prej 3,5 trilionë dollarësh të Presidentit Obama, dolën së bashku nga ndërtesa e Kapitolit.
Udhëheqësi republikan i dhomës së përfaqësuesve Xhon Boner.

“Në një periudhë afatshkurtër kjo do të dëmtojë ekonominë dhe vendet e punës. Në një periudhë afatgjatë, pasojat e këtij buxheti do të jenë më të rënda për fëmijët tanë dhe brezat pas tyre.”

Asnjë republikan nuk e mbështeti buxhetin e presidentit Obama, i cili kaloi me lehtësi në dhomën e përfaqësuesve dhe në senat falë shumicës demokrate.
Megjithëse republikanët arritën të bashkohen për t’iu kundërvënë buxhetit të presidentit, ata ende po përpiqen t’i përshtaten rolit të tyre si opozitë konstruktive.
Stefen Uejn është profesor në Universitetin Xhorxhtaun.

“Partia do të jetë e përçarë, dhe ndoshta deri në zgjedhjet e ardhshme, nuk do të dalë ndonjë udhëheqës që të paraqesë politikën që do të ndiqet. Pra republikanët janë të paorganizuar tani dhe kjo nuk është mirë për ta.”

Gjatë një takimi të konservatorëve në Uashington, drejtuesi i një programi radiofonik Rash Limbo foli për ringjalljen e republikanëve.

“Nuk ka asgjë të keqe të thuash hapur se dua që misioni i Barak Obamës të dështojë, nëse ai synon ta ristrukturojë këtë vend në mënyrë që kapitalizmi dhe liria personale të mos jenë në themel të tij. ”

Republikanët besojnë se partia e tyre duhet të bëjë më shumë se thjesht të kundërshtojë një president popullor.

Ken Dubershtain ka qenë shef kabineti i ish presidentit Ronald Regan.

“Republikanët nuk duhet vetëm të kundërshtojnë. Ata duhet të përpiqen të punojnë me palën tjetër ashtu siç ka bërë edhe zoti Obama për të gjetur pika ku mund të bien dakort.”

Por ekspertët politikë, si profesori i Universiteti Xhorxh Mejson, Xhefri Majer, nuk besojnë se republikanët mund të rimëkëmben së shpejti.

“Nëse republikanët gjejnë një udhëheqës deri në verë, apo një mesazh, gjërat mund të keqësohen për presidentin Obama. Por nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Nuk di se cila nga figurat e tyre kryesore mund ta ringjallë statusin e tyre.”

Por Ken Rubenshtain thotë se republikanët do të tregohen të duruar.

“Partitë politike gjithnjë e kanë mundësinë të ringjallen. Partia Republikane mund të jetë pak e humbur tani, por ata do të kthehen.”

Por për këtë do të duhet punë, sipas një ankete të përbashkët të gazetës Nju Jork Tajms dhe televizionit CBS News.

Vetëm 31 përqind e të anketuarve kishin mendim pozitiv për partinë republikane, përqindja më e vogël në 25 vjet.

Në të njëjtën anketë, përkrahja ndaj presidentit Obama është në 66 përqind.//lk


XS
SM
MD
LG