Lidhje

2,7 milion dollarë të ardhura për çiftin Obama gjatë vitit 2008


Presidenti Barak Obama publikoi, për qëllime taksash, të ardhurat familiare për vitin 2008, nga të cilat del se vitin e kaluar, ai dhe bashkëshortja e tij Mishel u paguan rreth 2,7 milion dollarë.

Kopjet e formularit të taksave u publikuan nga Shtëpia e Bardhë dje, afati i fundit brenda të cilit amerikanëve u kërkohet të deklarojnë të ardhurat e një viti pranë agjencisë federale të taksave.

Nga formulari del se gjatë vitit të kaluar, çifti Obama pagoi rreth 855,000 dollarë taksa federale dhe dhuroi rreth 172,000 dollarë për 37 organizata bamirëse.

Pjesa më e madhe e të ardhurave të Presidentit erdhi nga dy librat e tij best-seller “Ëndrra nga babai im” dhe “Guximi për të shpresuar”.

Çifti Obama bëri publike edhe taksat e paguara për shtetin Ilinoi ku ata banonin më parë. Formularët tregojnë se vitin e kaluar ata paguan rreth 78,000 dollarë taksa për këtë shtet.

Shtëpia e Bardhë publikoi edhe të ardhurat e Nënpresidentit Xho Bajden dhe bashkëshortes së tij Xhill, të cilat për vitin e kaluar kapën shumën prej 269,000 dollarë.

Dje, njerëzit kudo në Shtetet e Bashkuara zhvilluan të ashtuquajturat “mbrëmje çaji”, grumbullime simbolike për të protestuar kundër taksave dhe rritjes së shpenzimeve qeveritare.

XS
SM
MD
LG