Lidhje

Shtetet e Bashkuara dhe lufta kundër piraterisë



Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin përpjekje të reja për të gjetur dhe bllokuar pasuritë e piratëve somalezë. Ajo i bëri komentet një ditë pasi një anije tjetër amerikane mallrash u sulmua nga piratët ndërkohë që zyrtarët e lartë amerikanë përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të luftuar piraterinë në këtë zonë. Aktualisht, rreth 16 anije me më shumë se 220 njerëz në bord mbahen peng nga piratët dhe sipas zyrtarëve, vazhdimi i incidenteve të këtij lloji flet për kompleksitetin e problemit të piraterisë detare.

Me tre të shtëna precize, snajperët vranë të dielën pasdite tre piratët që ndodheshin në një barkë të vogël. Marina arriti të shpëtojë kapitenin e anjë anijeje amerikane mallrash

Maersk Alabama. Zyrtarët amerikanë thonë se problemi i piraterisë somaleze nuk është i lehtë dhe nuk zgjidhet thjesht me mjete ushtarake. Megjithatë, shefi i shtatmadhorisë amerikane Mike Mullen, i tha televizionit ABC se ky incident e ka bindur atë për nevojën e një rishikimi të strategjisë. "Në fakt, kam kërkuar dhe ne kemi filluar aktualisht të rishikojmë si Shtab i Bashkuar strategjinë e përgjithshme në mënyrë të gjerë dhe të thellë." Piratët kanë Somalinë si bazë të operacioneve të tyre dhe disa ekspertë thonë se ata duhen sulmuar pikërisht në vendin e tyre.

Ja ç’thotë Profesor Bernard Kol i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes. "Mendoj se çdo zgjidhje afatshkurtër ose afatmesme e problemit do të kërkojë operacione në tokë." Por të tjerë paralajmërojnë se kjo mund të shkaktojë viktima mes civilëve. Shqetësimi i tyre është se xhihadistët militantë brenda Somalisë, si grupi al-Shabab, mund të bashkohet me piratët. Profesori Kol thotë se kjo nuk e shqetëson, të paktën tani për tani. "Nuk mendoj se ky incident do t’i bashkojë terroristët me piratët. Mendoj se qëllimet e tyre bazë janë të ndryshme." Megjithatë, shpëtimi i kapitenit amerikan të dielën u shoqërua me kërcënime si nga udhëheqësit e piratëve ashtu edhe nga ata xhihadistë në Somali. Admiral Majkëll Myllen thotë se i merr seriozisht kërcënimet.

"Ne jemi të përgatitur mirë për gjëra të tilla. Dhe kjo do të jetë sigurisht pjesë e rishikimit të strategjisë në aspektin ushtarak." Por ekspertët thonë se piratët kanë nxjerrë dhjetra milionë dollarë vitet e fundit. Në fakt, pirateria ka vazhduar të shtohet edhe pse kjo zonë detare patrullohet tani nga anije luftarake të 16 vendeve.

Profesor Kol thotë se megjithë kërcënimet e tyre, përparësia e piratëve do të jetë të mbrojnë këtë biznes kriminal fitimprurës që është në rritje. "Ata nuk dinë si të bëjnë tani sepse qëllimi i tyre është të fitojnë para. Nëse ata fillojnë të vrasin pengje atëhere kjo do të bëhej shkak për reagime ushtarake masive gjë që do t’i pengonte të fitonin para të tjera." Ndërkohë, përpjekjet e disa pronarëve për t’i siguruar më mirë anijet kanë patur një farë suksesi. Por Profesor Kol thotë se ata mund të bëjnë edhe më shumë se kaq. "Mendoj se vendosja e rojeve të armatosura nëpër anije do të ishte një hap shumë pozitiv."

Pronarët kanë paralajmëruar se kjo mund të çonte në shtimin e dhunës ndërkohë që rojet e armatosura në anije janë të paligjshme në disa vende. Përsa i përket rolit të qeverisë amerikane, Presidenti Obama thotë se për të luftuar piraterinë kërkohet një përpjekje më e gjerë ndërkombëtare. "Për të arritur këtë qëllim, do të na duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerët tanë për të mos lejuar sulme të tilla në të ardhmen. Ne duhet të përgatitemi për t’u përballur me incidente të tilla kur ato ndodhin. Duhet të garantojmë gjithashtu se ata që ndërmarrin akte piraterie do të përgjigjen për krimet e tyre." Pjestarët e ekuipazhit të anijes Maersk Alabama u larguan nga Kenia të mërkurën.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, parashikon se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndihmon për zbutjen e varfërisë në Somali, problemi i piraterisë ka mundësi të rëndohet më tej. Zoti Gejts thotë se ai dhe zyrtarë të tjerë do të diskutojnë intensivisht gjatë javëve të ardhëshme se ç’duhet bërë për të luftuar piraterinë somaleze.

XS
SM
MD
LG