Lidhje

Tiranë: Opozita largohet nga Parlamenti për kartat e identitetit


Deputetët e Partisë Socialiste të opozitës u larguan sot nga seanca plenare e parlamentit në shenjë proteste ndaj shkeljeve dhe vështirësive që, sipas tyre, po kalon procesi i prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Përfaqësues të deputetëve socialistë deklaruan se vendimet e qeverisë për kartat e identitetit po e ngatërrojnë procesin dhe se ata kërkojnë që kartat të jepen falas.

Kryetarja e grupit parlamentar te Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se zgjedhjet e qershorit janë në rrezik nga mënyra se si po ecën procesi i kartave, ndaj edhe deputetët socialistë largohen nga parlamenti derisa kjo të zgjidhet.

“Duke shkelur të drejtën e votës ju po prishni zgjedhjet. - iu drejtua zonja Leskaj deputetëve të shumicës demokrate. - Ndaj dua që t’u them se nuk ka zgjedhje pa zgjidhur këtë problem. Ne kërkojmë që të hiqni taksën e votës, (çmimin e kartës), hiqni barriera që pengojnë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës. Përsa kohë që këto të dyja do të zgjidhen, natyrisht që ne do të dalim nga parlamenti”, - tha zonja Leskaj.

Ndërsa deputetët socialistë po dilnin nga salla, ministri i brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti po ecën normalisht brenda të gjitha parashikimeve kohore dhe parametrave teknikë.

“Deri sot të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit kanë në dispozicion kapacitete të plota dhe puna për aplikimin nga ana e qytetarëve vazhdon normalisht. Deri të martën kanë aplikuar në shkallë vendi më shumë se gjysmë milioni qytetarë shqiptarë për letërnjoftimet elektronike. Janë 512 mijë qytetarë, të cilët pavarësisht përpjekjeve të opozitës për ta dekurajuar këtë proces, janë paraqitur pranë zyrave të aplikimit dhe kanë realizuar këtë proces. Nga këto, janë prodhuar mbi 400 mijë letërnjotime elektronike, që tashmë janë prodhuar dhe po tërhiqen gradualisht nga qytetarët pranë zyrave të gjendjes civile çdo ditë,” - tha zoti Nishani.

Pajisja e qytetarëve me karta identiteti është vendosur në qendër të debateve politike. Ecuria e këtij procesi po përcillet me komente kontradiktore nga pozita dhe opozita, të cilat po përballen politikisht edhe për këtë temë, ndonëse është fjala për një procdurë teknike që tashmë ka filluar.//lk


XS
SM
MD
LG