Lidhje

SHBA do të zhvillojnë trenat e shpejtësisë së lartë


Presidenti Barak Obama synon që edhe Shtetet e Bashkuara, ashtu si disa vende të tjera të industrializuara, të kenë një sistem hekurudhor të zhvilluar ku të lëvizin trena me shpejtësi të lartë. Presidenti e shpalli planin e tij dje në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Obama thotë se trenat me shpejtësi të lartë mund t’i shërbejnë Amerikës po aq mirë sa i kanë shërbyer edhe vendeve të tjera si Spanja apo Kina.

"Linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë mes Madridit dhe Seviljes ka patur aq sukses saqë sot, më shumë njerëz udhëtojnë mes këtyre dy qyteteve me tren se sa me makinë dhe me avion të marrë së bashku. Në Kinë, ku një shërbim i tillë filloi vetëm dy vjet më parë, pas pesë vjetësh udhëtarët do të kenë përshkuar më shumë kilometra me trena të këtij lloji se sa në çdo vend tjetër të botës.”

Trenat me shpejtësi të lartë në Amerikë qarkullojnë vetëm në korridorin verilindor, mes kryeqytetit Uashington dhe Bostonit. Por ka plane që transporti me trena të tillë të zgjerohet edhe në rajone të tjera të vendit.

Dje, para se të nisej për në Meksikë, Presidenti Obama e përshkroi kështu objektivin e dyfishtë të strategjisë së tij për shpejtimin e këtyre planeve.

"Përmirësimi i linjave hekurudhore ekzistuese për ta bërë shërbimin hekurudhor më të shpejtë por edhe përcaktimi i korridorëve të mundshëm për krijimin e linjave të shpejtësisë së lartë dhe të nivelit botëror."

Kongresi amerikan ka përfshirë 8 miliard dollarë për zhvillimin e hekurudhave në ligjin për stimulimin ekonomik të miratuar në muajin shkurt. Presidenti Obama ka përfshirë edhe 5 miliard dollarë tjera në buxhetin e tij federal pikërisht për transportin hekurudhor me shpejtësi të lartë.

Trenat e shpejtësisë së lartë në të kaluarën nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur politike në Shtetet e Bashkuara. Por Presidenti Obama thotë se kjo mund të forcojë ekonominë amerikane veç përmirësimit të sistemit të transportit. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të mbeten prapa ndërkohë që vendet e tjera po zhvillojnë trenat e shpejtësisë së lartë.

"Kjo gjë po bëhet por nuk po bëhet këtu te ne. Nuk ka arësye përse ne të mos e arrijmë një gjë të tillë. Kjo është Amerika. Nuk ka arësye që e ardhmja e udhëtimeve të jetë diku tjetër, jashtë kufijve tanë."

Në shpalljen e nismës së re i pranishëm ishte edhe Nënpresidenti Xho Bajden, i cili gjatë 35 vjetëve të tij si anëtar i Senatit ka bërë rreth 8,000 udhëtime midis Uashingtonit dhe qytetit Uilmington të shtetit Delauer, ku kishte shtëpinë. //ii

XS
SM
MD
LG