Lidhje

Ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës


Ministri i punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, shprehu bindjen se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës do të jetë pozitiv. Ai i bëri këto komente pak orë pasi Prishtina dorëzoi një dokument në këtë gjykatë me argumentet e saj në mbrojtje të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.

Në tetor të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi kërkesën e Serbisë që Gjykata e Hagës të japë një opinion mbi pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, nuk shpalosi as sot hollësi të deklaratës së Prishtinës e cila është hartuar nga një grup ekspertësh të udhëhequr nga juristi britanik Sir Michael Ëood. Ministri Hyseni e quajti të pavend që të paragjykojë vendimin e mundshëm të Gjykatës.

“Institucionet e republikës së Kosovës kanë besim të plotë në paanshmërinë e Gjykatës, kanë besim të plotë në forcën e argumentit që përmban deklarata e Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht, institucionet e Republikës së Kosovës kanë besim të plotë se gjykimi final nuk do të dëmtojë në asnjë mënyrë të sotmen e as të ardhmen e Republikës së Kosovës”.

Përveç Prishtinës dhe Beogradit edhe shumë shtetet të tjera kanë paralajmëruar se do të dorëzojnë raporte me shkrim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në mbrojtje ose kundër ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pas dorëzimit të argumenteve, shtetet do të kenë edhe tre muaj kohë që të hartojë deklarata të reja me shkrim një mundësi kjo që i jepet edhe Kosovës.

“Numri i vendeve që kanë deponuar dokumente në të mirë të Kosovës është shumë më i madh sesa numri i vendeve kundër Kosovës”, njofton ministri Skënder Hyseni.

Procesi i marrjes së vendimit nga Gjykata e Hagës mbi pavarësinë e Kosovës mund të zgjasë më shumë se nëntë muaj dhe ndonëse nuk është detyrues, ai mund të ushtrojë ndikim në shtimin e njohjeve. E themeluar në vitin 1945 nga Kombet e Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë opinionin e saj në 25 raste të mos marrëveshjeve ndërkombëtare. (ze)

XS
SM
MD
LG