Lidhje

DASH: Të zhgënyer me dënimin e gazetares iraniane


Gazetarja amerikano-iraniane e cila ishte paraburgosur në Iran në fund të janarit u dënua me tetë vjet burgim nën akuzën e spiunazhit për qeverinë amerikane.

Një avokat mbrojtës i gazetares Roksana Saberi i tha agjencive të lajmeve sot se do ta apelonte këtë vendim.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se është shumë e zhgënyer nga dënimi i zonjës Saberi. Ajo tha se zyrtarë amerikane do të vazhdojnë të ngrejnë fuqishëm shqetësimet e tyre mbi këtë çështje gjatë kontakteve me qeverinë iraniane.

31 vjeçarja që mban të dyja nënshtetësitë kishte punuar për disa organe lajmesh në Iran dhe u arrestua në fund të janarit pasi po punonte pa kredencialet e shtypit.

Por në fillim të muajit, autoritetet iraniane i shtuan edhe akuzat e spiunazhit kundër gazetares dhe thanë se zonja Saberi kishte përdorur gazetarinë si mënyrë për të mbuluar kalimin e informacioneve sekrete për shërbimet amerikane të inteligjencës.

Shtetet e Bashkuara i kanë kundërshtuar akuzat e spiunazhit dhe i kanë quajtur të pabaza. //ek

XS
SM
MD
LG