Lidhje

Kosovë: Debate për periudhën e zhvillimit të zgjedhjeve


Partitë opozitare në Kosovë, po u bëjnë thirrje institucioneve të vendit që të përshpejtojnë procesin e caktimit të afatit për mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin komunal. Sipas ligjeve në fuqi, nëntori shënon fundin e mandateve të pushteteve në komunat e Kosovës dhe opozita po kërkon që zgjedhjet të mbahen më herët. Presidenti i vendit ka paralajmëruar fillimin e këshillimeve për të vendosur për këtë afat. Çështja e zgjedhjeve ka nxitur debate posaçërisht pas vendimit që votimet për pushtetin qendror nuk do të mbahen para vitit 2011.

Në Kosovë po vazhdojnë debatet rreth afatit të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre të pushtetit komunal. Sipas kalendarit zgjedhor, zgjedhjet lokale parashihet të mbahen në nëntor të këtij viti. Por, përfaqësues të partive politike në Kosovë kërkojnë që këto zgjedhje të mbahen një muaj më herët, ndërsa vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e presidentit Fatmir Sejdiu i cili parasheh që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në vitin 2011.

“Vërtetë është koha e fundit që të ketë konsulta të subjekteve politike në mënyrë që presidenti përfundimisht të marrë konsensusin e të gjitha subjekteve politike në mënyrë që të përcaktohet një datë e mundshme,e pranueshme dhe të shpallen zgjedhjet në mënyrë që të fillohen përgatitjet edhe të subjekteve politike por në veçanti të atyre të cilët do t’i menaxhojnë zgjedhjet”, thotë Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e Re.

"Në zgjedhjet e fundit e kemi pas një dalje të ultë të votuesve në qendrat e votimit, mendojmë se kjo duhet të rritet dhe mendojmë se një nga arsyet mund të jenë edhe kushtet atmosferike, pastaj duhet të jetë përgatitja, fillimi i përgatitjeve sa më herët, të cilin ne e shohim si një problem serioz, dhe këto janë të gjitha ato mendimet tona të cilat na bëjnë të mendojmë se edhe institucionet e vendit, sidomos presidenti i vendit, duhet ta merr me më shumë seriozitet këtë çështje”, thotë Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Kërkesa e opozitës për t’i mbajtur zgjedhjet një muaj para afatit të rregullt është shumë e arsyeshme, dhe këto institucione nuk janë të gatshme, së paku ju jeni dëshmitarë që ende presidenti nuk i ka ftuar liderët e partive politike që të vendos për datën e zgjedhjeve”, thotë Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Dardanisë.

“Neve si subjekt politik nuk na prish punë qoftë mbajtja më herët apo një muaj vonë. Jemi të gatshëm të mbajmë zgjedhje, andaj çfarëdo vendimi që do të merr presidenti, natyrisht në dakordim edhe me subjektet politike, ne do ta aprovojmë”, thotë Ramë Buja nga Partia Demokratike e Kosovës.

Përfaqësues të partive politike në Kosovë thonë se vendimi për caktimin e afatit të zgjedhjeve duhet të merret bashkërisht nga të gjitha partitë politike. Ata kritikojnë presidentin e vendit se siç thonë, po e zvarrit procesin zgjedhor, gjë që sipas tyre do të ndikojë edhe në rezultatin e zgjedhjeve. Ditë më parë ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu, ka njoftuar se së shpejti do t’i thërrasë udhëheqësit e partive politike të Kosovës për të gjetur një datë të përbashkët për mbajtjen e zgjedhjeve e lokale.

“Do të filloj konsultat e nevojshme në afatin ligjor me të gjitha partitë politike që pretendojnë të marrin pjesë dhe të shpalosin vlerat e tyre në një konkurrencë zgjedhore. Në bazë të konsultave do të përcaktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve”,tha Presidenti Sejdiu.

Ndonëse partitë politike në Kosovë po i bëjnë përgatitjet e tyre që në vjeshtën e këtij viti të fillojnë garën për zgjedhjet lokale, shpesh herë është ngritur mundësia që këto zgjedhje të shtyhen. Procesi i decentralizimit dhe regjistrimi i popullsisë, përmenden si pengesa të mundshme në mbajtjen e zgjedhjeve lokale këtë vit. Përfaqësues të partive politike ndërkaq thonë se mandati i institucioneve komunale skadon në vjeshtën e këtij viti, andaj ata i bëjnë thirrje presidentit të vendit që sa më shpejtë të fillojë këshillimet me partitë lidhur me datën e zgjedhjeve //mm//


XS
SM
MD
LG