Lidhje

Presidenti Obama: Drejtim i ri në marrëdhëniet SHBA-Kubë


Presidenti Barak Obama tha se do të dëgjojë dhe do të mësojë në takimin e nivelit të lartë të Hemisferës Perëndimore, ku ai shpreson të vendosë partneritete të reja mes vendeve të këtij rajoni.

Zoti Obama i bëri komentet sot, dita e dytë e takimit treditor në Trinidad dhe Tobago. Ai u tha gazetarëve para një takimi me udhëheqës të vendeve të Amerikës së Jugut, se parashikonte bisedime konstriktive për të gjetur rrugë për bashkëpunim më efektiv.

Para se të kameramanët të nxirreshin nga salla, presidenti i Venezuelës Hugo Çavez, një kundërshtar i vjetër i Shteteve të Bashkuara shkoi tek presidenti Obama, i dha një libër dhe i dha dorën.

Ndërsa dje zoti Chavez dhe zoti Obama i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe sipas njoftimeve udhëheqësi venezuelan i tha Presidentit amerikan, se donte të ishte miku i tij.

Presidenti Obama ditën e premte bëri thirrje për një marrëdhënie të re me Kubën dhe vendet e tjera të Amerikës Latine, të cilat kanë patur mosmarrëveshje me SHBA në të kaluarën. Fjalimi i tij u ndërpre vazhdimisht nga duartrokitjet, teksa ai fliste për një fillim të ri me
Kubën.

Në një fjalim të mbajtur gjatë hapjes së takimit të vendeve të Hemisferës Perëndimore, z. Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve që mos të mbeten më peng i së shkuarës.

“Jam i përgatitur që administrata ime të punojë me qeverinë kubane për një sërë çështjesh si – lufta kundër drogës, imigracioni, çështjet ekonomike, të drejtat e njeriut, liria e fjalës dhe reformat demokratike. Më lejoni të jem i qartë: Nuk jam i interesuar në bisedime për hir të bisedimeve. Por unë besoj se ne mund t’i zhvendosim marrëdhëniet SHBA –Kubë në një drejtim të ri”.

Komentet e zotit Obama vijnë një ditë pasi presidenti i Kubës, Raul Kastro iu hapi derën bisedimeve me SHBA. //mm//

XS
SM
MD
LG