Lidhje

Pres. Topi: Të angazhohemi për të realizuar procesin e zgjedhjeve


Në Shqipëri presidenti Bamir Topi tha sot se të gjithë duhet të angazhohen për të realizuar sa më shpejt procesin e zgjedhjeve në mënyrë që mbajtja e tyre të përshpejtojë ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian.

"Që të gjithë së bashku duhet të punojmë intensivisht, që të mos them çdo ditë, por çdo orë e çdo minutë që ky proces të realizohet sa më shpejt. Të gjithë duhet të aplikojnë, pastaj të gjitha subjektet politike duhet të futen në fushatë për të arritur synimet e tyre politike, por më e rëndësishme është që pas këtyre zgjedhjeve, Shqipëria të fitojë sa më shumë nota të tjera pozitive, për të patur mundësi të shpejta që pas anëtarësimit në NATO, të anëtarësohemi edhe në Bashkimin Evropian".

Presidenti e bëri këtë thirrje në një moment kur debatet për cështjen e letërnjoftimeve kanë arritur kulmin e tyre. Kryetari i partisë socialiste Edi Rama, i cili ka vënë alarmin se sipas tij procesi po shkon drejt dështimit i dërgoi dje një letër kryeministrit për t'i përsëriotur kërkesën për dhënien falas të letërnjoftimeve, si një masë për të shpëtuar brenda kohës së mbetur organizimin e zgjedhjeve sipas standarteve. Por qeveria këmbëngul se me masat e fundit për subvencionimin e letërnjoftimeve për kategoritë në nevojë ka krijuar të gjitha mundësitë që edhe qytetarët të cilët nuk kanë pasaporta të mund të marrin letërnjoftimin e ri e për pasojë të kenë mundësi të votojnë. //mm//


XS
SM
MD
LG