Lidhje

Sabine Frajzer: Njohja e Kosovës do të vazhdojë


Njohja ndërkombëtare e Kosovës do të vazhdojë si para ashtu edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kështu shprehet drejtoresha e Programit për Evropën të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Frajzer. Megjithatë, thotë ajo, qeveria e Kosovës duhet të luajë një rol të rëndësishëm për t’i treguar botës se është një shtet që kontribuon ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon. Kjo qeveri duhet të përpiqet më shumë t’i bindë vendet e tjera ta njohin atë.

Zëri i Amerikës: Zonja Fraizer, si është situata tani në Kosovë më shumë se një vit pas pavarësisë së saj?

Sabine Fraizer: Kosova ka bërë disa hapa të rëndësishëm gjatë vitit të parë të pavarësisë së saj. Një nga gjërat që shihet është zhvillimi i përgjithshëm pozitiv i vendit, nuk ka pasur shumë dhunë, Kosova është njohur nga mbi 50 vende dhe ajo po bëhet me të vërtetë pjesëtare e komunitetit ndërkombëtar. Por ka pasur edhe vështirësi, si për shembull gjetja e një gjuhe të përbashkët me serbët në Kosovë. Ka probleme në Mitrovicë por edhe me faktin që serbët e Kosovës nuk duan të marrin pjesë në institucionet e vendit. Pra nga njëra anë ka pasur përparim domethënës, ndërsa nga ana tjetër ka edhe sfida.

Zëri i Amerikës: A mendoni se mund të ketë paqe dhe stabilitet afatgjatë në Kosovë nëse nuk zgjidhet çështja e Mitrovicës? Dhe a mendoni se mund të zgjidhet kjo çështje?

Sabine Fraizer: Situata në Mitrovicë nuk mund të vazhdojë siç është tani, nuk mund të ketë dhunë, nuk mund të ketë banda të armatosura që operojnë atje, apo agjentë të fshehtë. Eventualisht shpresoj që të ketë një farë pajtimi dhe populli i Mitrovicës të arrijë të bashkëjetojë. Kthimi i të zhvendosurve është i rëndësishëm në të dy anët. Dy pjesët e komunës së Mitrovicës duhet të bashkëpunojnë dhe shpresoj që populli i Mitrovicës dhe komuniteti ndërkombëtar të kontribuojnë në këtë pajtim.

Zëri i Amerikës: Nga njëra anë shqiptarëve të Kosovës po u kërkohet t’u përmbahen planit Ahtisari, ndërsa nga ana tjetër serbët refuzojnë ta pranojnë atë. A është ky plan ende i zbatueshëm në rrethana të tilla?

Sabine Fraizer: Mendoj se është e rëndësishme që plani Ahtisari të vazhdojë të konsiderohet si dokument thelbësor. Kosova e ka inkuadruar këtë plan edhe në kushtetutën e saj. Pra ky nuk është më vetëm një dokument ndërkombëtar, por edhe pjesë e ligjit në Kosovë. Plani Ahtisari ka shumë ide të mira që duhet të zbatohen. Dhe një nga ato është decentralizimi, pjesë shumë e rëndësishme e planit Ahtisari. Më vjen keq që serbët e Kosovës nuk e pranojnë këtë plan. Mendoj se një nga problemet rrjedh nga fakti se ata nuk e dinë çfarë përmban ai. Ata nuk e kuptojnë se plani Ahtisari u garanton serbëve në Kosovë të drejta të jashtëzakonshme. Ata e shohin planin thjesht si miratim të pavarësisë së Kosovës, por kjo duhet të tejkalohet dhe të shihet përmbajtja e tij.

Zëri i Amerikës: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të marrë në shqyrtim çështjen e pavarësisë së Kosovës. A mendoni se vendimi i kësaj gjykate do të ketë ndikim në njohjen e mëtejshme të Kosovës?

Sabine Fraizer: Është e vështirë të thuash se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por do të ishte mirë që vendimi të jetë ligjor dhe të mos thotë se pavarësia e Kosovës është e paligjshme. Një arsye pse Serbia e çoi këtë çështje në gjykatë ishte për të vonuar njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës. Arsyeja tjetër është që qeveria serbe të thotë “nuk është faji ynë apo problemi ynë, sepse vendimi i çështjes është në dorë të gjykatës.” Qeveria e Kosovës duhet të luajë një rol të rëndësishëm për t’i treguar botës se është një shtet që kontribuon ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon. Kjo qeveri duhet të përpiqet më shumë t’i bindë vendet e tjera ta njohin atë. Megjithatë, mendoj se procesi i njohjes do të vazhdojë si para edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Zëri i Amerikës: A mendoni që komuniteti ndërkombëtarë duhet të vazhdojë përpjekjet për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian ndërkohë që Serbia nuk i ka përmbushur ende kërkesat e Gjykatës së Hagës për dorëzimin e kriminelëve të luftës?

Sabine Fraizer: Mendoj se BE-ja ia ka bërë të qartë premtimin e saj Serbisë se kjo e fundit do të bëhet eventualisht anëtare e grupit. Është e rëndësishme që Serbia ta ketë këtë perspektivë. Por është po aq e rëndësishme që Serbia t’i përmbushë kërkesat e Gjykatës së Hagës për dorëzimin e Ratko Mlladiçit para se të vazhdojë rrugën e saj të anëtarësimit në BE. Kam besim se Serbia është në gjendje ta arrestojë zotin Mlladiç dhe shpresoj që kjo të ndodhë së shpejti në mënyrë që vendi të vazhdojë integrimin evropian.

Zëri i Amerikës: Cila mendoni duhet të jetë natyra e bisedimeve Beograd-Prishtinë, nëse ato fillojnë në të ardhmen?

Sabine Fraizer: E rëndësishmja është që bisedimet të zhvillohen dhe që Beogradi dhe Prishtina të kenë vullnetin të dialogojnë. Ky dialog nuk duhet të jetë për statusin e Kosovës, por për marrëdhëniet e mira fqinjësore që duhet të kenë. Në këtë pikë ky lloj dialogu nuk duket i mundur dhe kjo është negative, sepse eventualisht Serbia dhe Kosova do të duhet të jetojnë pranë njëri tjetrit, do të duhet të trajtojnë problemet si trafikimin, korrupsionin, çështjet kufitare etj. Prandaj është e domosdoshme që ato të dyja të fillojnë të bashkëpunojnë për këtë sa më parë. //bsa//

XS
SM
MD
LG