Lidhje

Mbyllet takimi i Amerikave, Presidenti Obama flet për frymë të re


Presidenti Barak Obama pëshëndeti frymën e re të bashkëpunimit mes vendeve të dy Amerikave, frymë ku sipas tij Shtetet e Bashkuara janë një partner i barabartë i cili dëgjon mendimin e fqinjëve të tij. Duke folur në mbyllje të takimit të pestë të Hemisferës Perëndimore në Trinidad dhe Tobago, zoti Obama shprehu shpresë për ndryshime demokratike në Kubë dhe tha se embargoja ndaj Kubës nuk ka funksionuar.

Presidenti Obama tha se takimi i nivelit të lartë të “Dy Amerikave” solli një marrëveshje të gjërë mes të gjitha vendeve të Hemisferës për nevojën e nxitjes së zhvillimit ekonomik, përballimit të sfidave të sigurisë si trafiku i drogës, nxitja e prodhimit të lëndëve djegëse alternative, mbrojtjes së mjedisit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Gjatë një konference për shtyp, zoti Obama pranoi se ai nuk ishte dakord me të gjithë homologët e tij për të gjitha çështjet.

“Por, ajo që treguam gjatë këtij takimi është se ne mund të arrijmë përparim atëherë kur egziston dëshira për të lënë mënjanë debatet dhe ideologjitë e vjetra të cilat kanë dominuar dhe shtrëmbëruar këto debate në këtë hemisferë për një kohë të gjatë.”

Zoti Obama i pranoi kritikat ndaj Shteteve të Bashkuara nga disa udhëheqës, si presidenti i Nikaraguas Daniel Ortega. Por ai tha se i tërë rajoni e dëshiron suksesin e Amerikës.

“Edhe kritikët më të ashpër të Shteteve të Bashkuara kanë dëshirë të shikojnë se ekonomia amerikane do të fillojë të funksionojë dhe të rritet përsëri, pasi egziston një varësi shumë e madhe tek Shtetet e Bashkuara për eksportet dhe paratë që vijnë nga imigrantët.”

I vetmi vend i Hemisferës Perëndimore i përjashtuar nga ky takim ishte Kuba dhe marrëdhëniet e acaruara për një kohë të gjatë mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara arritën të dominojnë agjendën e bisedimeve.

Pas një jave deklaratash dhe kundërdeklaratash mes Uashingtonit dhe Havanës rreth çështjes së bisedimeve dy palëshe, presidenti Obama tha se Kuba duhet të përqafojë reformat. Por ai shtoi se politikat amerikane për të nxitur ndryshime me forcë, duke përfshirë edhe embargon ekonomike, nuk kanë arritur të sjellin demokracinë në Kubë.

“Politikat që ne kemi zbatuar për 50 vite nuk kanë funksionuar ashtu siç dëshironim ne. Njerëzit në Kubë nuk janë të lirë.”

Gjatë gjithë takimit, presidenti Obama u prit me ngrohtësi nga homologët e tij, mes tyre edhe disa kritikë të ashpër të Shteteve të Bashkuara. Pas disa përshëndetjeve dhe shtrëngime duarsh, Presidenti i Venezuelës Hugo Çavez e pëshkroi zotin Obama si një “njëri i mençur”. Ai tha se dëshiron të rikthejë ambasadorin e Venezuelës në Uashington pas një mungese prej 7 muajsh.

Presidenti Obama foli për “dallime të mëdha” mes tij dhe presidentit Çavez. Ai tha se nuk kishte ndonjë të keqe në dialogun me udhëheqësin e Venezuelës, por shtoi se janë veprat janë ato që kanë rëndësi.

Dje, presidenti i Bolivisë Evo Morales akuzoi Shtetet e Bashkuara se ishin përfshirë në një komplot për vrasjen e tij. Presidenti Obama e kundërshtoi këtë akuzë.

Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë të “Dy Amerikave” që mbahet në një vend të Karaibeve dhe nuk shoqërohet me protesta të ashpra. Takimi i mëparshëm u mbajt në Argjentinë në vitin 2005 dhe u përcoll me protesta të ashpra kundër presidentit të atëhershëm Xhorxh Bush. //ii

XS
SM
MD
LG