Lidhje

Shqipëri: Opozita, thirrje për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime


Për opozitën shqiptare çështja e letërnjoftimeve po shkon drejt pikës kritike e sipas tyre të pariparueshme. Nëse qeveria nuk ndërmerr një ndërhyrje e shpejtë brenda këtyre ditëve duke i dhënë ato falas për personat që nuk kanë pasaportë, atëherë sipas socialistëve nuk do të kishte më as kohë fizike për përmbylljen e këtij procesi:

"I propozoj Kryeministrit Berisha të pranojë pa hezitim heqjen e taksës së votës, duke e garantuar njëkohësisht se opozita nuk ka asnjë kërkesë tjetër për kartat e identitetit. Njëkohësisht kujtoj se ky akt duhet të hyjë në fuqi jo më vonë se fundi i kësaj jave, sepse pranimi i heqjes së kësaj takse kur nuk do të kishte më kohë fizike për të kryer aplikimet do të ishte veprimi hileqar i radhës", tha Katriot Islami.

Janë afro 500 mijë personat pa pasaportë të cilët ende nuk kanë aplikuar për letërnjoftimin e ri që do t'u jepte atyre mundësinë për të votuar. Dhe sipas një përllogaritje me ditët e mbetura do të duhet që të ketë një mesatare aplikimesh nga 9 deri 10 mijë në ditë që të garantohet pajisja e të gjithëve me letërnjoftimet e reja.

Për socialistët zgjedhjet po vihen në rrezik. Ata akuzuan qeverinë madje se po bën edhe seleksionim të përsonave që marrin dokumentin e ri të identifikimit duke ja dhënë atë militantëve të vet.

Edhe për lëvizjen socialiste për integrim kjo cështje po shndërrohet në një rrezik tepër serioz dhe madhor për standartet e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i LSI Ilir Meta propozoi mbledhjen e partive politike për këtë problem: "Unë do të kërkoja që brenda kësaj jave të gjitha forcat politike parlamentare të ulen dhe me mirëkuptim dhe me përgjegjësi të plotë për zgjedhjet, që i takojnë të gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht partive politike, të arrijnë me konsensus që të bien dakord për disa standarte duke zgjedhur në radhë të parë edhe çështjen e kartave të identitetit".

Por për shumicën në pushtet gjitshka po ecën më së miri: "Procesi po ecen shumë mirë bazuar në të gjitha aktet ligjore dhe vendimet e qeverisë. Numri i aplikimeve është shumë e ilartë dhe ne garantojmë se të gjithë qytetarët e shqipërisë që nuk kanë pasaportë do të pajisen me karta", tha Ferdinand Xhaferri, deputet i PD.

Nga ana tjetër demokratët, vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve kanë hapur një front të ri përlasjeje me opozitën. Ata kanë kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për kryetarin e bashkisë së Tiranës Edi Rama, i akuzuar nga shumica për lejet e ndërtimit dhe dhënien e tyre në mënyrë korruptive dhe klienteliste. //ad//
XS
SM
MD
LG