Lidhje

SHBA: Ekonomia e rënduar ndikon tek të pastrehët


Recesioni mund të shkaktojë shtimin e të pastrehëve në Shtetet e Bashkuara. Të dhënat nga rregjistrimi i tyre në Los Angeles ende nuk janë përfunduar, por ata njerëz që punojnë me të pastrehët thonë se nevoja në rritje mund ta ketë përkeqësuar këtë problem kronik.

Humbja e vendeve të punës dhe e shtëpive ka bërë që disa njerëz ta shprehin zemërimin e tyre nëpër rrugë.

Kohët e fundit, protestuesit vunë në shënjestër një kompani ndërtimi në Los Angeles, që kishte hyrë në partneritet me një bankë huadhënëse plot probleme.

Shumica e njerzve këtu, të cilët humbasin shtëpitë e tyre, tani jetojnë me qira.

Të tjerë që humbën punën ose shtëpinë qëndrojnë në hotele ose me miqtë e tyre. Disa flenë në makina në vendet e parkimit.

Në Sakramento, disa të tjerë kanë përfunduar të pastrehë në një tendë të qytetit. Në Los Angeles, disa qëndrojnë jashtë në lagjen e pasur Hollywood Hills, dhe janë bashkuar me të tjerë të papunë e të pastrehë në rradhën e përditshme të ushqimeve.

Edhe industria e argëtimit është goditur nga kriza ekonomike. Nën hijen e një pike të rëndësishme, australiani Marcus Proctor, ka ardhur për ushqim dhe shpreson të gjejë punë në Hollywood. Ai fle përjashta dhe e kalon ditën në kërkim të një pune, por thotë se kjo nuk është e lehtë.

“Është vështirë të gjesh punë dhe ende nuk kam gjetur një vend pune. Jam shumë i dhënë pas dramaturgjisë dhe preferoj të jetoj në rrugë deri sa të gjej punë në këtë sektor se sa të pranoj një punë të mërzitshme”.

Rudi Salinas, punonjës i një organizate që ndihmon të pastrehët, thotë se të pastrehët janë kudo, por në përgjithësi nuk shikohen.

“Kur shkojmë në vendet që shkojmë ne si për shembull tendat e ngritura në kodra, poshtë urave dhe nëpër godina të caktuara, mund të shikosh shumë njerëz javë pas jave”.

Organizata e tij, Njerëzit që Ndihmojë të Pastrehët, ndihmon rreth 70 mijë të pastretë të Los Angelesit. Ata jetojnë në çadra, nëpër kodra ose në anë të rrugëve e autostradave.

Vendstrehimet e administruara nga agjenci private ofrojnë ushqim dhe strehim të përkohshëm për ata që janë në gjendje të hyjnë. 39 vjeçari Xheri Simeon humbi punën në Boston dhe erdhi në Los Angeles me shpresë për të gjetur një punë tjetër.

“Nuk gjeta punë dhe paratë që kisha i shpenzova. Pastaj qëndrova me një mik për nja dy muaj dhe më pas mbeta pa strehë. Ende jam i papunë, por tani marr ndihmë”.

Në qytetin e Santa Monikas, disa të papunë ndihmohen nga një agjenci private e njohur më parë si Qendra e Komunitetit të Parkut Oqeanik. Rene Buchanan është bashkërenduese vullnetare, madje ka qënë edhe menaxhere banke. Ajo mbeti një herë e pastrehë pas betejës me depresionin dhe thotë se ajo përvojë e hidhur bëri që të ndjejë dhimbje për të tjerët.

“Kjo përvojë më ndihmoi mua dhe shpresoj që kushdo në vendin tonë të kuptojë se të pastrehët janë njerëz si gjithë të tjerët. Ndodh që ata të jenë të pastrehënë në një periudhë të jetës së tyre”.

Agjencitë e shërbimeve sociale thonë se kërkesat për ushqime dhe ndihma të tjera janë shtuar dhe se ky problem do të përkeqësohet nëse gjendja ekonomike nuk përmirësohet.

Këto agjenci thonë se zgjidhja është që të gjehen mënyra më të përballueshme strehimi dhe shërbime sociale më të bashkërenduara për të pastrehët e përkohshëm e ata kronikë. (ze)

XS
SM
MD
LG