Lidhje

Prishtina përgatit strategjinë për luftën kundër korrupsionit


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sot se gjatë kësaj jave do të dërgohen për miratim në Parlament strategjia dhe ligjet për luftë kundër korrupsionit, kontrabandës dhe larjes së parave. Ai tha se kjo është shprehje e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për luftë kundër këtyre dukurive negative për vendin. Ai i bëri këto komente pas takimeve me udhëheqësit e policisë dhe doganave të Kosovës me të cilët ka diskutuar luftën kundër kontrabandës me theks të veçantë në veriun e Kosovës ku që nga shpallja e pavarësisë nuk funksionojnë doganat e vendit.

Pak ditë pas shpalljes së pavarësisë protestues serbë dogjën dy posta kufitare në ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Thaçi shprehu bindjen se autoritetet do të veprojnë në çdo pjesë të vendit.

“Kjo betejë vazhdon, por do të jemi të pa kompromis deri në fund, deri në vënien e ligjshmërisë së plotë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa, lufta kundër dukurive negative nuk njeh nacionalitet. Të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe do të jemi të pa kompromis ndaj të gjithëve”, tha kryeministri Thaçi.

Drejtori i doganave të Kosovës Naim Huruglica dhe ai i policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti thanë se shërbimet e tyre kanë arritur të zvogëlojnë shkallën e kontrabandës e cila kishte shënuar rritje pas shkatërrimit të pikave doganore në veri.

“Në muajt e kaluar kemi arrit që të ulim atë nivel të kontrabandës ku shihet një rënie prej gati 80 për qind. Domethënë është një punë jashtëzakonisht e madhe që kemi bërë dhe kemi arritur të vëmë kontroll në atë pjesë të kufirit”, tha zoti Huruglica

“Ne e kemi krijua një grup të veçantë për ta luftuar kontrabandën në pjesën veriore të vendit. Ai grup ka dhënë rezultatet të mira. Deri tash ne i kemi disa kallëzime penale që kemi bërë. Ju e dini që kemi arrestuar edhe një grup për kontrabandë dhe si rezultat, ka ra numri i kontrabandimeve. Por, kemi kallëzime penale të ngritura edhe ndaj policëve të vendit. Kemi suspenduar dy nga policët e Kosovë dhe për tre janë duke u udhëhequr procedurat”, tha zoti Ahmeti.

Aktualisht në doganat ne veri veprojnë vetëm pjesëtarët e Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë të cilët bëjnë regjistrimin e mallrave që hyjnë në vend. Pjesëtarët e komunitetit serb në atë zonë kanë kundërshtuar rivendosjen e doganave të Kosovës. Të mbështetur nga Beogradi ata vazhdojnë të refuzojnë institucionet e Kosovës dhe të kundërshtojnë ashpër pavarësinë e saj. (ze)

XS
SM
MD
LG