Lidhje

SHBA: Administrata mbron bojkotimin e konferencës kundër racizmit


Një fjalim i Presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad, që kritikonte ashpër Izraelin bëri që shumë delegatë perëndimorë të linin sallën e konferencës së Kombeve të Bashkuara kundër racizmit në Gjenevë. Një numër përfaqësuesish nga 23 vende të Bashkimit Evropian dolën në shenjë proteste dje ndërsa udhëheqësi iranian dënoi themelimin e shtetit të Izraelit në vitin 1948. Diplomatë të OKB dhe vendeve perëndimore i kritikuan komentet si indinjuese, anti-semite dhe një nxitje për urrejtje. Ndërkohë administrata e Presidentit Obama e mbrojti dje vendimin për të mos marrë pjesë në konferencë. Por organizata të të drejtave të njeriut thonë se bojkotimi nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera minon luftën kundër racizmit.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Obama thonë se spektakli i ditës së parë të konferencës, që shkaktoi udhëheqësi i Iranit me sulmet e tij ndaj Izraelit, e bëri të qartë se vendimi për të mos marrë pjesë në konferencë ishte i drejtë.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga konferenca e parë e OKB-së për racizmin në Durban në vitin 2001, kur u pa qartë se takimi që kishte si temë luftën ndaj urrejtjes, ishte kthyer kryesisht në një forum për sulmet ndaj Izraelit dhe zionizmit.

Në përfundim të mandatit, administrata e ish presidentit Bush tha se nuk do të merrte pjesë në takimet përgatitore për konferencën e Gjenevës që do të analizonte arritjet e deritanishme të takimit të Durbanit, por administrata e zotit Obama e ktheu mbrapsht atë vendim me shpresën se projekt-dokumentat që përmbanin frymën e takimit të parë do të rishikoheshin.

Në njoftimin e së shtunës për mospjesëmarrje, administrata e Presidentit Obama e pranoi përparimin që ishte bërë në tekstin e konferencës. Por dje, në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs tha se ndryshimi nuk kishte qenë i mjaftueshëm për ta merituar pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.

“Ne vendosëm kushte shumë konkrete dhe dërguam një delegacion të nivelit të lartë për të parë nëse konferenca e kishte parë me seriozitet çështjen e racizmit dhe intolerancës, apo po e përdorte atë si propagandë politike. Pasi u përpoq t’i zgjidhte mangësitë, administrata vendosi se nuk mundte dhe nuk do të bëhej pjesë e asaj që pamë të ndodhte sot. Presidenti Obama ka bindje të forta në lidhje me luftën kundër racizmit dhe intolerancës. Por nuk besoj se ishte në interesin tonë kombëtar që të merrnim pjesë në konferencën që po mbahet aktualisht”.

Zoti Gibs tha se fjalimi i Presidentit iranian në Gjenevë, në të cilin ai e quajti aleatin e Shteteve të Bashkuara, Izraelin “një regjim mizor, shtypës dhe racist”, përbënte pa dyshim një retorikë të mbushur me urrejtje dhe një nga arsyet që administrata e Presidentit Obama arriti në përfundimin se nuk do të ishte e udhës të merrte pjesë në konferencë.

Fjalimi i Ahmadinexhadit bëri që një numër delegatësh nga vendet e perëndimit të dilnin nga salla. Hollanda, Australia dhe Zelanda e Re deklaruan gjatë fundjavës se ashtu si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Izraeli nuk do të merrnin pjesë në konferencë.

Vendimi i vendeve me peshë për të mos marrë pjesë u kritikua nga grupet e të drejtave të njeriut që thonë se bojkotime të tilla minojnë përpjekjet e OKB-së për të luftuar racizmin.
Iian Levine, Drejtor Programesh për Organizatën Human Rights Watch thotë se përgjigjia më e mirë ndaj retorikës së udhëheqësit iranian është hedhja poshtë e saj në Gjenevë.

“Ishte një fjalim i tmerrshëm, i mbushur me urrejtje dhe provokues. Por shërben për të treguar më së miri se pse Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera duhet të ishin në konferencë. Ajo që na duhej, siç e pamë me Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë ishte një reagim i menjëhershëm. Na duhen njerëz që të ngrenë zërin dhe të thonë se lufta globale kundër racizmit nuk do ta marrë formën nga një njeri i mbushur me urrejtje, nga një njeri që drejton një qeveri që shtyp pakicat e veta. Duam të shohim një luftë globale kundër terrorizmit që të udhëhiqet nga qeveritë që vërtet duan ta zgjidhin këtë çështje”.

Human Right Watch thotë se projekt-dokumenti i Gjenevës nuk përmbante referenca për Izraelin apo Lindjen e Mesme dhe i përmbahet të drejtave për lirinë e shprehjes, një pohim që bie ndesh me deklaratat e zyrtarëve të administratës së Presidentit Obama se formulimi i tij është në kundërshtim me angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mos penguar lirinë e shprehjes. (ze)

XS
SM
MD
LG