Lidhje

Shqipëri: Parlamenti shkel rregullat e veta për liçencën e celularit


Në Shqipëri parlamenti kaloi mbrëmë për miratim në komisionin e ligjeve një projektligj i cili i jep të drejtën për licencën e katërt të telefonisë celulare një konsorciumi të përbërë nga Posta e Kosovës dhe një grupi biznesmenësh shqiptarë. Parlamenti e bëri këtë veprim, në shkelje të rregullave të funksionimit të tij. Ky projektligj është miratuar nga qeveria shqiptare e cila pas dështimit të garës për licencën e katërt, vendosi të shmangë një konkurrim të dytë, ndonëse ligji e bënte të detyrueshëm një veprim të tillë.

Në shtypin shqiptar vendimi i qeverisë për t'i dhënë në mënyrë të drejtëpërdrejtë licencën e kartërt të operatorit të telefonisë celulare një konsorciumi të përbërë nga posta e Kosovës dhe një grupi biznesmenësh shqiptarë që nuk kanë asnjë lidhje me telekomunikacionet është përkufizuar si një skandal.

Ky konsorcium në të vërtetë mori pjesë në garën ndërkombëtare të shpallur nga autoritetet shqiptare dhe pati ofertën më të lartë prej 7.2 milionësh. Por gara u anullua në momentin e fundit pasi në fazën përfundimtare të saj mbërritën dy kompani nga e cila njëra u skualifikua. Për pasojë edhe konsorciumi mes postës së Kosovës dhe biznesmenëve shqiptarë nuk mund të shpallej fitues. Kjo sqarohet qartë në një relacion dërguar qeverisë ku saktësohet se sipas ligjit përcaktohet se procedura nuk rezultoi e suksesshme, nuk u kualifikuan më shumë se një ofertë konkurruese gjatë procedurës së tenderit.

Autoriteti i Komunikimeve elektronike duhet të shpallë përfundimin e kësaj procedure, të analizojë shkaqet dhe sipas legjislacionit t'i reflektojë ato në dokumentacionin e tenderit duke shpallur një datë të re konkurrimi, shkruhet në relacion. Pra gara duhet të rihapej. Por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Në të njejtin relacion që shoqëron projektligjin e qeverisë gjenden arsye, pa asnjë referencë ligjore, se përse nuk duhej të shpallej një garë e dytë dhe licenca duhej t'i jepej këtij konsorciumi. Dhe arsyet janë vetëm të një karakteri ekonomik sipas të cilave në kushtet e krizës ekonomike globale gjatë një tenderi të ri mund të mosarrihej niveli i ofertës së marrë nga konsorciumi i Postës së Kosovës me biznesmenët shqiptarë prej 7.2 milion euro, apo se futja e një operatori të katërt në treg do të sillte një reduktim të tarifave.

Këto mund të jenë arsye të vlefshme, po përsa kohë nuk gjejnë asnjë bazë ligjore ku mbështeten, madje janë në kundërshtim të hapur me legjislacionin shqiptar në fuqi, atëherë ato nuk mund të marrin një fuqi ligjore.

Në këtë veprim të pashpjegueshëm të qeverisë shqiptare, është përfshirë më pas edhe parlamenti. Projektligji i ka kaluar mbrëmë komisionit të veprimtarive prodhuese duke shkelur hapur të gjitha procedurat parlamentare. Së pari që një projektligj të kalojë në komisione ai duhet të futet në rendin e ditës së parlamentit dhe rendi i ditës miratohet nga konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare dhe më pas nga vetë seanca. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Komisioni është urdhëruar të mblidhet në mbrëmje. Për të plotësuar nurmin e anëtareve në mungesë të përfaqësuesve të opozitës, aty janë prfshirë dy deputetë të një komisioni tjetër. I dominuar tërësisht nga të djathtët komisioni e ka zgjatur vetëm pak më shumë se 1 orë diskutimin duke vlerësuar gjithçka të rregullt.

Dyshimet e para për liçencën e katërt të operatorit të telefonisë celulare u hodhën që në fillim të vitit kur ende ishte në proces gara. Për to shkruajti edhe shtypi i Kosovës dhe posta e Kosovës u detyrua të shprehej publikisht për përfshirjen e saj në këtë garë. Një shpjegim i cili në të vërtetë, në vend që t'i mbyllte i hapi edhe më shumë këto dyshime, pasi drejtuesit e saj shpjeguan se ishin me 30 përqnd të aksioneve në konsorcium porse nuk kishin bërë asnjë pagesë për ato aksione. Pra duke pranuar në një farë mënyre se Posta ishte vetm formalisht dhe se ka shërbyer si një fasadë për biznesmenët shqiptarë të cilëve u duhej të kishin një kompani nga fusha e telefonisë. //kk//


XS
SM
MD
LG