Lidhje

FMN paralajmëron një recesion më të rëndë se parashikimi i kaluar


Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se recesioni po prek ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës, më rëndë se sa u parashikua fillimisht dhe se rimëkëmbja e eknomisë globale do të marrë një kohë edhe më të gjatë.

FMN-ja publikoi sot raportin e vet 6-mujor për parashikimin e ekonomisë botërore, duke e cilësuar recesionin e tanishëm si më të rëndin që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.

Në raportin e FMN-së thuhet se ekonomia globale pritet të tkurret me 1,3 për qind këtë vit dhe se problemet e vazhdueshme të sistemit global financiar dhe mungesa e kredive, flasin për një rimëkëmbje të ngadaltë në vitin 2010.

Parashikimi i FMN-së për Shtetet e Bashkuara, ekonomia më e madhe e botës, është edhe më e zymtë. Raporti parashikon se ekonomia amerikane do të tkurret këtë vit me 2,8 për qind dhe se deri në vitin 2010 nuk do të ketë asnjë lloj rritjeje.

FMN-ja po ashtu parashikon se ekonomia japoneze do të tkurret me 6,2 për qind këtë vit, ndërsa ekonomia e vendeve evropiane, ku Euro është monedha e shkëmbimit, do të tkurret me 4,2 për qind. Po ashtu pritet të tkurret edhe ekonomia ruse, ndërsa ajo e Kinës, sipas raportit të FMN-së do të rritet, por me një ritëm të ngadaltë.//lk


XS
SM
MD
LG