Lidhje

FMN: Recesioni ekonomik, më i rëndë se sa parashikohej


Kryeekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Olivie Blanchar thotë se bota po pëson një tronditje të jashtëzakonshme nga kriza financiare dhe nga recesioni që filloi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2007. Zoti Blanchar paraqiti një të ardhme ekonomike shumë më të zymtë se sa parashikimet e tre muajve më parë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se ekonomia botërore do të tkurret me 1.3 përqind këtë vit, treguesi më i keq në më se 60 vjet. Sipas FMN-së, rimëkëmbja pritet të fillojë vetëm në fund të vitit dhe rritja do të arrijë vetëm 1.9 përqind në vitin 2010. Zoti Blanchar thotë se muajt e fundit ka patur një kontraktim të paparë të ekonomisë globale.

"Rënia e kërkesës ka çuar në shkurtime të mëdha të prodhimit dhe në një pakësim dramatik të eksporteve. GDP-ja globale ra 6% në tremujorin e fundit të vitit 2008, një shifër e paparë kjo. Me sa kuptojmë, ajo ra me po atë ritëm edhe në tremujorin e parë të 2009-s."

Ashpërsia e rënies ekonomike globale i ka habitur ekspertët e Fondit Monetar, të cilët vetëm tre muaj më parë parashikonin rritje të ngadaltë por jo rënie për vitin 2009. Zoti Blanchard pret që rimëkëmbja të jetë e ngadaltë dhe që papunësia në vendet më të zhvilluara ta arrijë kulmin e saj vetë nga fundi i vitit 2010.

Zoti Blanchar dhe kolegët e tij besojnë se gjedja e brishtë e sistemit bankar përbën një tjetër element negativ për parashikimin e tyre që edhe ashtu është i zymtë.

"Bankat janë ende në procesin e konsolidimit dhe shtrëngimit të standardeve të kreditimit. Shumë nga tregjet e bursës vazhdojnë të funksionojnë keq. Dhe, sa më shumë që këto ndodhin, aq më i gjatë dhe aq më i thellë do të jetë recesioni. Por, sa më i gjatë dhe i thellë të jetë recesioni, aq më keq do të jetë për gjendjen e sistemit financiar."

Fondi Monetar llogarit se humbjet në shkallë botërore që lidhen me kreditë e këqia, kryesisht në sektorin imobiliar në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, mund të arrijnë në 4 trilion dollarë deri në fund të vitit të ardhshëm. Tregtia botërore mund të bjerë 11 përqind këtë vit pas rritjes me 3 përqind që pati në vitin 2008.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se ekonomia amerikane ka mundësi të tkurret me rreth 3 përqind këtë vit dhe të regjistrojë zero rritje në vitin 2010. Tkurrja në Eurozonë, pra në 16 ekonomitë që përdorin euron, parashikohet të jetë akoma më e madhe, minus 4 përqind këtë vit ndërsa ekonomia japoneze pritet të tkurret në masën 6 përqind.

Rritja ekonomike e Kinës është ngadalësuar duke arritur në 6.5 përqind ndërsa e Indisë 4.5 përqind. Rusia, e cila po vuan rënien e papritur të çmimeve të energjisë vitin e kaluar, mendohet se do të ketë një tkurrje ekonomike prej 6 përqind. Afrika, që po preket me vonesë nga kriza, po njeh aktualisht një rritje vjetore prej 2 përqind.//ii

XS
SM
MD
LG