Lidhje

Presidenti Obama shton përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme


Presidenti Barak Obama po shton angazhimin e tij personal në procesin e paqes të Lindjes së Mesme. Ai ka ftuar udhëheqës rajonalë në Shtëpinë e Bardhë për bisedime të veçanta.

Ftesat i janë dërguar udhëheqësve të Izraelit, Egjiptit dhe Autoritetit Palestinez.

Detajet po vazhdojnë të përpunohen, por administrata thotë se Presidenti Obama shpreson të ketë takime të veçanta me Benjamin Netanjahun, Hosni Mubarakun dhe Mahmud Abasin, brenda gjashtë javëve të ardhshme.

Zoti Obama paraqiti planet për këtë raound të ri përpjekjesh personale diplomatike dje, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Mbretin Abdullah.

Ai tha se disa njerëz janë skeptikë për procesin e paqes, si në rajonin e Lindjes së Mesme, ashtu edhe në pjesë të tjera të botës. Por ai tha se ende ka mundësi për përparim.

“Ne duhet të largohemi nga gremina dhe të themi që sado që e vështirë të jetë, perspektiva për paqe ekziston akoma”.

Presidenti u përpoq të ishte edhe optimist, edhe realist ndërsa u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në fund të takimit me monarkun jordanez.

Ai foli për rrugën e vështirë përpara, por la të kuptohet se pret disa shenja pozitive në të ardhmen e afërt.

"Unë shpresoj që gjatë muajve të ardhshëm të shohim shenja të vullnetit të mirë nga të dyja palët”.

Zoti Obama nuk dha hollësi por ai tha se palët e dinë se çfarë masash besimi mund të ndihmojnë.

Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të pamundurën për t’i inkurajuar këto masa, duke vënë në dukje se i dërguari i tij i posaçëm Xhorxh Miçëll do t’i vazhdojë diskutimet në rajon.

Zoti Obama gjithsesi tërhoqi vëmendjen se me një qeveri të re në Izrael, përparimi nuk do të arrihet menjëherë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të mos harrojmë që qeveria e re izraelite mori detyrën vetëm disa javë më parë. Ishte një proces i ndërlikuar, ai i krijimit të koalicionit. Kështuqë mendoj se duhet të dëgjojmë më shumë”.

Presidenti tha se me gjithë ndryshimet politike që po ndodhin në rajon, të dyja palët do të kenë nevojë për kohë për të formuluar dhe konsoliduar qëndrimet e tyre. Por ai tha se do të vijë një moment kur duhet të mbarojë koha e fjalëve dhe të fillojnë veprimet.

Zoti Obama tha përsëri se ai mbështet zgjidhjen me dy shtete, pavarësisht nga hezitimi i qeverisë së re izraelite për të mbështetur krijimin e një shteti palestinez. Ai tha se të dyja palët përballen me vendime të vështira dhe u zotua se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të pamundurën për të krijuar kushtet për ta bërë përparimin të mundshëm.

Mbreti i Jordanisë tha se shpreson që të gjitha palët e përfshira në procesin e paqes të përfitojnë nga mundësia që iu ofrohet.

“Mendoj se po përpiqemi të shohim aspektet pozitive, jo ato negative për përpjkjet që duhet të bëjmë në muajt e ardhshëm në mënyrë që t’u krijohet mundësia Izraelitëve dhe Palestinezëve, Izraelitëve dhe arabëve që të ulen së bashku në tryezë dhe ta çojnë këtë proces përpara”.

Gjatë takimit me gazetarët, Presidenti Obama u pyet gjithashtu për deklaratat anti-izraelite që bëri Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad në konferencën për racizmin në Gjenevë.

Zoti Obama tha se komente të tilla e dëmtojnë pozicionin e Iranit në botë. Por ai la të kuptohej se nuk ishte i befasuar nga fjalimi i udhëheqësit iranian, duke thënë se kjo retorikë nuk ishte ndonjë gjë e re.//kk//


XS
SM
MD
LG