Lidhje

Gajtner raporton për ecurinë e ekonomisë pas ndihmës qeveritare


Sekretari amerikan i Thesarit Timothi Gajtner thotë se shumica e bankave amerikane kanë më tepër kapital se sa u nevojitet dhe se programi federal i ndihmave financiare ka sasi të mjaftueshme fondesh për t’i ndihmuar bankat që po përjetojnë momente të vështira. Megjithatë, zoti Gajtner i tha dje një komisioni të Kongresit se bankat ende përballen me vështirësi ne dhënien e kredive.

Sekretari i Thesarit Timothy Gajtner tha se shumica e bankave kanë një sasi më të madhe parash nga sa nevojitet për t’u konsideruar nga rregullatorët se kanë kapital të mjaftueshëm. Ai tha se programi federal i shpëtimit të bankave ende ka rreth 135 miliardë dollarë për t’u përdorur dhe se sistemit financiar po fillon t’i rikthehet një pjesë e besimit.

"Është e rëndësishme të theksohet se të vlerësosh rezultatin e këtyre programeve është e vështirë, sepse është e pamundur të gjykosh se si tregjet financiare, apo bankat do të kishin operuar në mungesën e këtyre masave,"- tha zoti Gajtner.

Zoti Gajtner i tha një komisioni të Kongresit se ka shenja pozitive përsa i përket dhënies së kredive afatshkurtër që bankat i japin njëra tjetrës. Por ai shtoi se ka një rënie të madhe përsa i përket kredive me terma tregtare, atyre te bankave industriale dhe te kredive për konsumatorët. Zoti Gajtner tha se rregullatorët duhet të mbikqyrin, si gjendjen e bankave individuale, edhe kapacitetin e sistemit financiar në tërësi për të dhënë kredi.

"Një prej këtyre hapave është, që t’i bëjmë vetë insitucionet të kenë kapital të mjaftueshëm, për të qenë të aftë të japin kredi dhe që të funksionojnë në mënyrë që të ndihmojnë në rimëkëmbjen e popullit amerikan,"- tha ai.

Zoti Gajtner tha se Departamenti i Thesarit, po ashtu po harton një rregull të ri për kufizimin e pagave të drejtuesve, firmat e të cilëve kanë marrë ndihma nga qeveria.

Anëtarët e komisionit e vlerësuan zotin Gajtner që propozoi një mënyrë më të mirë për mbikqyrjen e programit të 700 miliardë dollarëve të ndihmës ekonomike.

Richard Neiman është mbikqyrës i bankave të shtetit të Nju Jorkut.

"Përse nuk po shihet ndonjë përparim në planin e Thesarit të Shtetit? Ndoshta ngaqë është e vështirë të shohësh rezultate në dy, ose tre muaj, Po ndoshta mund të ndodhë edhe ngaqë gjërat nuk po funksionojnë ashtu siç duam,"- tha ai.

Po dje, një inspektor i posaçëm qeveritar raportoi se plani për rigjallërimin e ekonomisë amerikane nuk po kontrollohet siç duhet dhe rrezikon të bëhen abuzime. Në raportin e tij thuhej se taksapaguesit amerikanë kanë të drejtë të dinë se si përdoren paratë nga taksat e tyre.//lk



XS
SM
MD
LG