Lidhje

Më 2002, CIA kërkoi leje për metoda të ashpra të marrjes në pyetje


Një raport i ri i Senatit amerikan tregon se në vitin 2002, Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, i kërkoi leje administratës Bush për të marrë në pyetje persona të dyshuar si terroristë duke përdorur metoda të ashpra si mbytja e simuluar.

Raporti, i publikuar dje nga Komisioni i Senatit për Çështjet e Zbulimit, jep sekuencën kohore të këtyre praktikave në politikën e marrjes në pyetje të ndjekur nga administrata e kaluar.

Në Raport thuhet se në vitin 2002, zonja Kondoliza Rajs, në atë kohë Këshilltare e Sigurisë Kombëtare, miratoi kërkesën e CIA-s për të përdorur metodën e simulimit të mbytjes ndaj personit të dyshuar si operativ i al-Kaidës, Abu Zubaydah, nëse kjo miratohej nga Departamenti i Drejtësisë. Njoftohet se Zubaydah i është nënshtruar kësaj metode 83 herë në gusht të vitit 2002.

Në raport thuhet gjithashtu se një vit më vonë, Nënpresidenti Dik Çeni afirmoi mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për këto praktika të marrjes në pyetje.

Dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs minimizoi sugjerimet se duhet caktuar një prokuror i pavarur për të hetuar praktikat e marrjes në pyetje gjatë administratës Bush. Ai tha se juristët e Departamentit të Drejtësisë janë të aftë për të përcaktuar nëse ka patur shkelje të ligjeve. //ii

XS
SM
MD
LG