Lidhje

Presidenti Obama nën presion për politikat e marrjeve në pyetje


Presidenti Barak Obama ka ndezur një debat politik me publikimin e memorandumeve sekrete ku përshkruhen në hollësi teknikat e marrjeve në pyetje të miratuara nga ish presidenti Bush kundër të dyshuarve për terrorizëm. Zoti Obama ka lënë tani të hapur mundësinë për ndjekje penale ndaj ish zyrtarëve të administratës Bush, që justifikuan përdorimin e metodave.

Të gjithë presidentët duhet të zgjidhin problemet e lëna pas nga paraardhësit e tyre dhe Presidenti Obama nuk bën përjashtim.

Publikimi i memorandumeve ligjore të administratës së presidentit Bush ku jepen detaje sesi të dyshuar terroristë janë marrë në pyetje, duket se e kanë futur zotin Obama në një batak politik.

Presidenti i siguroi punonjësit e CIA-s, të hënën se ata nuk do të ndiqen penalisht për teknikat e ashpra të marrjeve në pyetje, por shtoi se për ata që hartuan argumentet ligjore për lejimin e këtyre metodave, vendimin do ta merte Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder.

Disa në kongres po kërkojnë hetim për metodat e marrjeve në pyetje, përfshi mbytjen e simuluar. Në përgjigje, presidenti Obama e bëri të qartë se nuk ka dëshirë të harxhojë shumë kohë dhe energji për këtë çështje.

"Unë mendoj se duhet të shohim përpara dhe jo pas. Jam i shqetësuar se kjo çështje po politizohet dhe nuk mund të funksionojmë me efektshmëri pasi ajo po dëmton aftësitë tona për të kryer operacionet kritike të sigurisë kombëtare".

Por çështja e të ndaluarve është tashmë subjekt i një debati të zjarrtë politik. Ish nënpresidenti Dick Cheney mbrojti politikën e administratës Bush dhe i bëri thirrje zotit Obama të tregojë se ata që u morrën në pyejte me këto metoda nxorrën informacione të vlefshme.

Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton u fut në debat dje në seancën dëgjimore në Kongres për politikën e jashtme. Ajo u pyet nga ligjvënësi republikan Dana Rohrabacher rreth komenteve të zotit Cheney."Nuk do të ishte surprizë t'u thosha se nuk e konsiderojë atë burim të besueshëm informacion", tha zonja Klinton.

"Zonja sekretare, ju bëra një pyetje specifike. Dick Cheney ka kërkuar publikimin e dokumentave të caktuara. Ne nuk po ju pyesim për opinionin tuaj për Dick Cheneyn por për dokumentat," u përgjigj ligjvënësi.

"Besoj se duhet ta shohim këtë çështje në hollësi. Mendoj se është në interesin më të mirë të vendit tonë dhe kjo është ajo që presidenti beson dhe kjo është arsyeja që ai po ndërmerr këto hapa".

Ndërsa presidenti Obama mund të përballet me një betejë politike në rritje për këtë çështje, kjo nuk është ajo që ai kërkon, thotë analisti politik Stuart Rothenberg.

"Ka shumë në partinë demokrate që janë të zhgënjyer me administratën Bush dhe taktikat që u lejuan. Mendoj se njerëzit në Shtëpinë e Bardhë janë të mërzitur. Por pikëpamja e presidentit mendoj se është se nuk kërkon të trazojë ujrat".

Zoti Rothenberg shton se presidenti e di që duhet të ketë mbështetjen e republikanëve për iniciativat e rëndësishme në ekonomi dhe kujdesin shëndetësor. Por ai thotë se nëse fillon procesi i hetimit të së kaluarës, kongresi mund të ndryshojë balancë, duke e lënë presidentin me më pak mbështetje.


XS
SM
MD
LG