Lidhje

Kosovë:  Kërkohet të zbardhet fati i të zhdukurve


Dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, Kosova vazhdon të numërojë mbi 1900 persona të zhdukur. Familjarë të të zhdukurve vazhdojnë t’i bëjnë thirrje Qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.

Në një tryezë që u mbajt sot në Prishtinë, me temën “Pas dhjetë vitesh fati i të pagjeturve të Kosovës duhet të ndriçohet’, përfaqësues të familjarëve kërkuan që t’i bëhet trysni më e madhe qeverisë së Beogradit, sepse siç thanë ata, për të gjithë të zhdukurit e Kosovës ekzistojnë shënime në arkivat serbe.

“Nuk është siguruar asnjë informacion zyrtar tash e dhjetë vite edhe për 1907 njerëz. Po zvarritet çështja e mbi 400 mbetjeve mortore të cilat tash e dhjetë vite po qëndrojnë të paidentifikuara në morgun e mjekësisë ligjore në Prishtinë. Nuk është bërë ndonjë përpjekje serioze nga institucionet apo organizatat vendore që të hartojnë regjistrin komplet të qytetarëve të zhdukur, të vrarë dhe të plagosur të Kosovës”. thotë Haki Kasumi, nga Asociacioni i familjarëve të të pagjeturve

“Preokupim po ashtu I domosdoshëm mbetet kërkimi I vendvarrimeve të reja në Kosovë dhe jashtë Kosovës, pastaj zgjidhja e çështjes së një numri të trupave të djegur për të cilët identiteti de fakto dihet, duhet të mbulohet edhe me segmentin juridik, dhe definitivisht edhe bashkëpunimi me rajonin”. thotë Ramë Manaj, zv/kryeministër

Sipas hulumtimeve të Kryqit të Kuq Ndërkombëtarë, në Kosovë ekzistojnë edhe 1907 persona të zhdukur përfshirë këtu edhe rreth 400 mbetje mortore të cilat vazhdojnë të mbesin të paidentifikuara në morgun e mjekësisë ligjore në Prishtinë. Përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë thonë se janë duke ndihmuar autoritetet në ndriçimin fatit të të gjithë personave të zhdukur nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Siç e dini, ne kemi filluar punën tonë para pesë muajsh, dhe që nga dhjetori i vitit 2008 ekspertët e EULEX-it kanë punuar me kolegët e tyre nga ministria e drejtësisë dhe ata në zyrën për persona të pagjetur pranë UNMIK-u, për të gjetur një përgjigje për familjarët. Megjithatë, informatat për varreza të reja të mundshme janë bërë më të vështira, dhe pa informata të besueshme, përparimi është më I vështirë”, thotë zoti Alberto Perduka nga Eulex

Përfaqësuesi i Komisionit Ndërkombëtar për persona të Zhdukur thotë se u duhet ndihma e vendasve për një qasje gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e kësaj çështjeje .

“Ne kemi nevojë për ndihmën e kujtdo që mund të jap ndonjë informatë në lidhje me vendvarrimet e reja. Duhet të mblidhen dhe të hulumtohen informacione për vendvarrimet e mundshme shtesë. Numri i mbetjeve mortore të zhvarrosura në Kosovë ka rënë në masë të konsiderueshme dhe qeveria e Serbisë nuk ka ndërmarrë asnjë zhvarrim në lidhje me konfliktin në Kosovë, që nga zhvarrimet në Rashkë në vitin 2007 ku nuk u gjeten mbetje mortore”. thotë Barie Simpson, nga Komisioni Ndërkombëtarë për persona të zhdukur

Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur gjatë lutës, është pjesë e një dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që nga viti 2004. Por, me gjithë takimet e zhvilluara deri tash me ndërmjetësimin e Komitetit ndërkombëtarë të Kryqit të Kuq, rezultatet janë ende të pakta. //mm//

XS
SM
MD
LG