Lidhje

Kosova shënon ditën e të zhdukurve


Në listat e Komitetit Ndërkombëtarë të Kryqit të Kuq edhe më tej janë emrat e 1907 qytetarëve të Kosovës, fati i të cilëve mbetet i paqartë edhe dhjetë vjet pas përfundimit të luftës. Kosova sot shënon ditën e të zhdukurve, në shenjë kujtimi për ngjarjet e dhjetë viteve më parë në fshatin Meje të Gjakovës ku kishte ndodhur njëra ndër masakrat më të mëdha në Kosovë. 377 shqiptarë u morrin nga forcat serbe në këtë fshat me 27 prill të vitit 1999. Një pjesë e tyre u zbuluan nëpër vite nëpër varreza të ndryshme masive, ndërsa ende nuk dihet për fatin 27 prej tyre.

Familjarët e të zhdukurve po u bëjnë thirrje autoriteteve vendase që punojnë më shumë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, ndërsa autoriteteve ndërkombëtare që t’i bëhet trysni më e madhe Serbisë, sepse siç thonë ata, në arkivat e Beogradit mund të gjenden informata për shqiptarët e vrarë dhjetë vjet më parë…

Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq pati filluar katër vjet më parë ndërmjetësimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e të zhdukurve, por edhe më tej rezultatet janë të pakta.

Familjarët e të pagjeturve në Kosovë bëjnë thirrje që sa më parë të bëhet i ditur edhe identiteti i mbi 400 trupave që vazhdojnë të mbahen në institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë. Zyrtarë të Komisionit Ndërkombëtarë për Persona të zhdukur kanë kërkuar ndërkaq edhe mbështetjen e familjarëve për identifikimin e trupave dhe në këtë kuadër është paralajmëruar edhe mundësia zhvarrimeve të trupave që mund të jenë identifikuar gabimisht.

Kosova doli nga lufta me mbi 5 mijë të zhdukur, ndërsa edhe dhjetë vjet pas saj numëron edhe rreth 1900 persona të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë të Kosovë. Një pjesë e trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës janë zbuluar në varreza masive në Serbi kryesisht në qendrat e stërvitjeve të forcave të posaçme të policisë serbe, ndërsa trupat tjerë besohet se mund të jenë varrosur në vende ende të panjohura.

XS
SM
MD
LG