Lidhje

Mitrovicë: Policia shpërndan protestues të komunitetit serb


Policia hodhi sot gaz lotsjellës për të shpërndarë një grup prej rreth 100 pjesëtarësh të komunitetit serb të cilët po protestonin kundër rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve ne pjesën veriore të Mitrovicës. Zyrtarë të policisë thanë se janë dëgjuar edhe të shtëna, por e tëra ka kaluar pa dëme në njerëz. Ata thanë se më mbështetjen e forcave paqeruajtëse, gjendja është vënë nën kontroll.

Rindërtimi i shtëpive të dëmtuara gjatë luftës së vitit 1999, në lagjen e njohur si “Kroi i Vitakut” filloi javën që lamë pas, me gjithë kundërshtimin e banorëve serb të cilët nuk pajtohen me kthimin e fqinjëve të tyre shqiptarë në shtëpitë e veta, duke e kushtëzuar atë me siç thuhet “kthimin e serbëve në pjesën jugore të qytetit”.

Edhe dhjetë vjet pas luftës, Mitrovica vazhdon të mbetet e ndarë në dy pjesë, në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare. Sipas planit të ish krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, Mitrovica duhet të jetë një qytet i bashkuar me dy komuna.

Autoritetet në Kosovë po u bëjnë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të integrohen në jetën politike e publike në vend.

Në këtë kuadër Ministria e Arsimit shpalli sot në Prishtinë themelimin e komisionit të pavarur i cili do të merret me rishikimin e plan-programit mësimor për shkollat serbe në Kosovës. Ministri i Arsimit Enver Hoxhaj, tha se Kosova do të ketë një sistem të integruar arsimor, dhe themelimi i këtij komisioni shënon edhe shkëputje nga e kaluara. “Do të japë kontributin tim maksimal që vërtet minoritetet ta kenë qasjen e barabartë në arsim. Ajo se çfarë ka ndodhur në të kaluarën i takon të kaluarës, puna ime është që ta ndryshoj thjeshtë të tashmes edhe të ardhmes, ti zbatoj ligjet e Kosovës, Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me mandatin që kam ti kryej punët që më takojnë”, tha ministri Hoxhaj.

Komisioni përbëhet nga tre anëtarë të propozuar nga deputetë serb të Parlamentit të Kosovës, tre nga Ministria e Arsimit dhe një përfaqësues nga Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë. Shefi i kësaj të fundit Pieter Faith, e cilësoi themelimin e këtij komisioni një ngjarje me rëndësi për procesin e integrimit të komunitetit serb. “Unë besoj që komuniteti serb do ti përgjigjet pozitivisht këtij projekti, dhe jo të vazhdoj të shikoj në të kaluarën”.

Përfaqësuesi i komunitetit serb në këtë komision Ivan Çukaloviç, shprehu bindjen se programi mësimor që do të hartohet nga ky komision do të jetë i pranueshëm nga bashkëkombësit e tij. “Ky është hapi i parë drejt zgjidhjes së problemeve dhe mendoj që është mirë që të kalojmë nga fusha politike dhe të tentojmë që t’i zgjidhim problemet konkrete, dhe në veçanti ato që kanë të bëjnë me popullatën e moshës së re”, tha zoti Çukaloviç.

Tërë ky proces pritet të përmbyllet gjatë vitit 2010 kur duhet të fillojë të zbatohet nëpër shkollat serb ku vazhdon të zbatohet programi i ministrisë së arsimit të Serbisë. Pjesëtarët e komunitetit serb të mbështetur nga Beogradi vazhdojnë të kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe institucionet e saj.

XS
SM
MD
LG