Lidhje

Presidenti Obama, gripi i derrit përbën shqetësim, por jo alarm


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se kërcënimi i epidemisë së gripit të derrit përbën shqetësim, por jo alarm. Në Meksikë ka pasur 149 raste vdekjeje, por asnjë në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Obama thotë se Shtetet e Bashkuara po e ndjekin me vëmendje përhapje e virusit të derrit.

"Pa dyshim që kjo është shqetësuese dhe duhet një gadishmëri e lartë. Por nuk është shkak për alarm".

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar gjendjen e emergjencës si masë parandalimi. Deri tani në Shtetet e Bashkuara, ka pasur vetëm pak raste të lehta të sëmundjes në pesë shtete. Por në Meksikë, ku numri i viktimave po rritet, gjendja është e rëndë.

Dr. Riçard Beser është kreu i qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Ai paralajmëron se Amerika duhet të jetë e parapërgatitur.

"Ne nuk duhet të mbyllim sytë meqë kemi parë vetëm raste të lehta në vend. Unë mendoj se do të shohim edhe raste të tjera dhe parashikoj që rrezja e sëmundjes të zgjerohet".

Dr. Beser thotë se Shtetet e Bashkuara do t'i këshillojnë qytetarët e vet që të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme në Meksikë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton tha se bashkëpunimi mes dy vendeve në kufi do të jetë thelbësor për të luftuar përhapjen e gripit të derrit.

"Sigurisht që ne i kemi ofruar ndihmë qeverisë msë Meksikës për t'u siguruar që ata të kenë burimet dhe ekspertizën teknike që u duhet, nëse e kërkojnë një gjë të tillë".

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Xhenet Napolitano, zyrtarja që mbikqyr përgjigjen ndaj gripit të derrit thotë se Shtetet e Bashkuara po e intensifikojnë kontrollin e njerëzve që hyjnë në vend dhe do të ndalojnë ata që shfaqin shenja infeksioni.

Por ajo thotë se arma më e fuqishme ndaj sëmundjes mund të jenë veprimet e zakonshme parandaluese.

"Çka do të thotë larja e duarve, të rrini në shtëpi nëse jeni sëmurë, mbuloni gojën nëse kolliteni, ose tështini. Këto janë masa të thjeshta, por që mund t'i përmirësojnë shanset për shmangien e një epidemie të përgjithshme".

Zonja Napolitano u angazhua se do ta informojë publikun për çdo gjë të re. Shtëpia e Bardhë thotë se ajo do të ketë njoftime të përditshme përsa kohë të vazhdojë gripi. //kk//

XS
SM
MD
LG