Lidhje

Ndryshimi që ka sjellë Obama, 100 ditë pas fillimit të detyrës


Një nga arsyet kryesore që Barak Obama u zgjodh President në nëntor, ishte se votuesit donin një ndryshim pas tetë vjetësh të administratës së Presidentit Bush. Por sa është realizuar ky ndryshim në 100 ditët e para në detyrë?

Një nga momenti kur u zgjodh, Presidenti Obama ka qenë mishërimi i ndryshimit.

"Falë asaj që ne arritëm sot, me këto zgjedhje, në këtë moment vendimtar, në Amerikë ka ardhur ndryshimi".

Dëshira për ndryshim ishte e dukshme në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Obama ndërsa një milionë amerikanë u mblodhën në Uashington për të festuar ardhjen në pushtet të Presidentit të parë afrikano-amerikan të vendit.

"Tani nga ne kërkohet një epokë e re përgjegjësie, kërkohet që ta pranojmë se kemi detyrime ndaj vetes, ndaj vendit tonë dhe botës".

Disa nga ndryshimet e 100 ditëve të para kanë qenë dramatike. Plani masiv i stimujve ekonomikë ka si objektiv t'i japë zgjidhje sfidës së tij më madhore, rimëkëmbjes ekonomike.

Presidenti vendosi për mbylljen e qendrës së ndalimit në Guantanmo të Kubës dhe vuri një afat për tërheqjen e trupave në gusht të vitit 2010 nga Iraku.

Por disa nga ndryshimet më të mëdha kanë ndodhur në mënyrën sesi ndjehen qytetarët, thotë eksperti politik Stjuart Rothenberg.

"Për pyetjen e thjeshtë nëse vendi i ka hyrë një rruge të drejtë, apo po zgjedh drejtimin e gabuar, përgjigjia ka qenë një rritje mjaft e dukshme e optimizmit. Pra çfarë ndryshimi ka sjellë presidenti Obama? Ai ka sjellë ndryshimin e idesë mbi rrugën që ka zgjedhur vendi".

Republikanët në përgjithësi janë kundër propozimeve të zotit Obama për taksat dhe shpenzimet, duke paralajmëruar se do të rrisin një borxh të jashtëzakonshëm për brezat e ardhshëm. Ja ç'thotë kreu u republikanëve në senat, Xhon Beinër.

"Dhe fakti është se ne e dimë që na duhet ndihmë për ekonominë, por shqetësimi im është se ajo që po propozohet nuk do të funksionojë".

Megjithatë në përgjithësi niveli i mbështetjes për Presidentin Obama ka mbetur i lartë dhe ekspertët thonë se kjo ia shton atij ndikimin e tij politikisht përballë Kongresit dhe kritikëve të tij.

Stiven Hes është studiues i shkencave politike në Institutin Brookings në Uashington.

"Por ky president ka një arritje shumë të rëndësishme, shkalla e mbështetjes, popullariteti i tij. Çfarëdo që të ketë bërë këto 100 ditë, ka gjetur miratimin e publikut, por edhe të vendeve të tjera".

Publiku në fakt e ka mbështetur Presidentin në 100 ditët e para. Por çfarë ndodh nëse ekonomia nuk fillon të rimëkëmbet?

Ken Duberstein ishte shef i personelit i ish-Presidentit Ronald Regan në fund të viteve 1980. Ai thotë se Presidenti po shpreson që publiku të tregohet i duruar.

"Mendoj se Presidenti Obama po ndjek një rrugë që vendi e mbështet. Por ai duhet të shfaqë një ecuri në rritje dhe shpresoj që kjo të realizohet".

Sipas sondazhit të fundit të Gazetës Washington Post dhe televizionit ABC, 69 për qind e miratojnë punën e zotit Obama, ndërsa 26 për qind jo.

Zoti Obama siguroi një shkallë të lartë mbështetjeje në drejtim të ekonomisë dhe politikës së jashtme. Por në anketë, u shprehën shqetësime për ndikimin që politikat e tij do të kenë në deficitin buxhetor dhe në lidhje me kompanitë e prodhimit të automjeteve.//kk//

XS
SM
MD
LG