Lidhje

Senatori republikan Arlen Spekter ndryshon përkatësinë politike


Senatori me përvojë nga shteti i Pensilvanisë, Arlen Spekter befasoi dje botën politike të Uashingtonit duke thënë se po ndërronte partinë e tij republikane duke u futur në grupin e senatorëve demokratë. Kjo gjë do t’i çojë demokratët edhe më afër shumicës së nevojshme prej 60 senatorësh në mënyrë që ata të kapërcejnë bllokime të mundshme legjislacioni nga ana e republikanëve dhe të miratojnë objektivat e presidentit Barak Obama në Senat. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Tejt na njofton nga Kapitoli.

Senatori Spekter, i cili është zgjedhur në senatin amerikan prej 29 vjetësh do të përballej me një garë të vështirë si republikan në zgjedhjet e ardhshme. Shteti i Pensilvanisë votoi për kandidatin demokrat Obama gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Sipas anketave, senatori Spekter do të kishte më shumë gjasa për fitore si demokrat. Gjatë një konference për shtyp, ditën e martë, zoti Spekter tha se vendimi për t’u larguar nga Partia Republikane nuk ishte i lehtë:

"Ky ishte një vendim i vështirë. E di mirë se kështu po zhgënjej shumë nga miqtë dhe kolegët e mi”.

Por, zoti Spekter tha se ai e ka parë veten gjithnjë e më në kundërshtim me Partinë Republikane që ka lëvizur vazhdimisht drejt së djathtës. Vendimi i tij do t’i jepte demokratëve një shumicë prej 59 mandatesh, një vend më pak sesa shumica e duhur prej 60 vetësh për të kapërcyer bllokime të ligjeve të mundshme nga ana e senatorëve republikanë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, e mirëpriti këtë vendim, që sipas tij është i rëndësishëm për zbatimin e planit ekonomik të zotit Obama:

“Presidenti Obama i tha senatorit Spekter sot në mëngjes se e mbështet plotësisht vendimin e tij dhe se është i gëzuar që ai tanimë i përket Partisë Demokrate dhe se e mirëpret bashkëpunimin me senatorin Spekter mbi planin e rimëkëmbjes ekonomike”.


Por, ndërsa zoti Spekter mbështet nismat ekonomike të zotit Obama, ai tha qartë se kjo nuk do të thoshte se vota e tij do të ishte gjithnjë në krahum e demokratëve:

"Unë do të vazhdoj të jem i pavarur dhe do të kem qëndrimin tim ndaj çështjeve të caktuara”.


Senatori Spekter ka treguar shpesh pavarësinë e tij gjatë mandatit si republikan. Kohët e fundit ai ishte një nga tre republikanët e vetëm që votuan pro planit ekonomik të presidentit Obama.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Heri Rid, pranoi se zoti Spekter ka bindje të pavarura dhe tha se nevoja për të bashkëpunuar me demokratët për të zgjidhur çështjet e kombit do të vazhdonte të ishte e rëndësishme.

"Demokratë dhe republikanë duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për ta bërë përkujdesjen shëndetësore më të lirë, për të investuar në energjinë ambjentaliste dhe për të ndihmuar që të gjithë amerikanët të arsimohen. Demokratë dhe republikanë duhet të vazhdojnë të punojnë bashkarisht për t’u siguruar që trupat tona të kenë burimet e duhura për të luftuar ekstremizmin në Lindjen e Mesme dhe në vende të tjera”.

Udhëheqësi republikan në Senat, Miç Mekonëll, shprehu pakënaqësinë me vendimin e zotit Spekter dhe tha se kjo mund të vinte në rrezik aftësinë e republikanëve për të balancuar shumicën demokrate.

"Besoj se kërcënimi që i kanoset vendit lidhet direkt me faktin që amerikanët nuk duan që një parti të ketë shumicë absolute pa u kontrolluar apo balancuar nga partia e krahut tjetër”.


Njoftimi i senatorit Spekter është humbja e radhës për republikanët të cilët në vitin 2006 humbën kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve dhe humbën edhe më shumë vende në Kongres gjatë zgjedhjeve të fundit. //ek

XS
SM
MD
LG