Lidhje

OBSH ngre nivelin e paralajmërimit për gripin e derrave


Autoritetet në shumë vende po marrin masa urgjente për të frenuar përhapjen e gripit të derrave që është në prag të shndërimit në një epidemi globale. Deri tani nga ky virus i ri që prek njerëzit, mendohet të jenë infektuar mijëra vetë dhe numri i vdekjeve po shtohet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ngriti nivelin e alarmit nga rreziku i virusit H1N1, që njihet si gripi i derrave, në shkallën 5, një më poshtë se niveli maksimal. Shkalla 6 nënkupton pandemi globale, të ngjashme me ato që kanë shkaktuar vdekje të shumta gjatë shekullit të 20.

Meksika, ku u përhapën rastet e para, po përpiqet të përcaktojë shkallën e saktë të përhapjes së gripit. Deri tani autoritetet thonë se kanë konfirmuar 100 raste të infektuara me H1N1 nga të cilët 8 kanë vdekur. Virusi H1N1 mendohet të ketë shkaktuar edhe dhjetra vdekje të tjera në Meksikë.

Numri i të infektuarve dhe vdekjeve nga virusi, përhapja e të cilit është konfirmuar edhe në vende të tjera, pritet të rritet. Drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se është e qartë se një pandemi globale po fillon, dhe se paqartësia e vetme është sa e rëndë dhe me çfarë pasojash do të jetë ajo. Organizata e OKB-së po u bën thirrje vendeve të marrin masa sa më urgjente për të luftuar virusin.

Numri i rasteve me gripin e derrave po shtohet, por Nju Jorku duket më i shqetësuar nga koha pranverore sesa mundësia e përhapjes së gripit të derrave. Të gjithë thonë se janë të kujdesshëm por jo të alarmuar. Një nënë e re nga Kuins , ku u gjet edhe rasti i parë në Nju Jork, nuk tregon panik.

“Të qenurit këtu më tërhoqi vëmendjen. Kam dëgjuar se nuk duhet të na zere paniku sepse deri tani ata që janë prekur në Amerikë kanë simptoma të lehta."

Ana Garsia që po merrte vajzën nga shkolla thotë se nuk është e shqetësuar.

“Jam mësuese në Bruklin dhe shumica e nxënësve janë meksikanë dhe ata nuk duket t’i ketë zënë paniku. Po marrim të njejta masa për higjenën si për çdo grip tjetër.”

Në një park në Manhaten studentët që po mësojnë thonë se janë paralajmëruar rreth përhapjes së gripit të derrave.

“Flitet për mbylljen e shkollave për disa ditë për pastrimin e tyre dhe kontrollin tek mjeku.”

“Askush nuk përdor maskat...duket se nuk kanë frikë. Por ata nuk e dinë sa i rrezikshëm mund të jetë.”

Në fillim të javës kryetari i bashkisë Majkëll Blumberg tha se gripi pritet të përhapet në qytet sikurse përhapet gripi i zakonshëm. Por për tani, nuk duket se do të shkaktojë më shumë vdekje se gripet e tjera.

“Me aq sa dimë, gripi i derrave duket se përhapet njëlloj si gripet tjera dhe tani për tani nuk kemi arsye që simptomat e këtij gripi të jenë më të rrezikshme.”

Zoti Blumberg thotë se njerëzit me grip duhet të rrinë në shtepi, por asnjë rast në Nju Jork nuk ka arritur në shkallë të rrezikshme.

“Thuajse të gjitha rastet kanë qënë të lehta dhe procesi i përmirësimit nga prekja ka qënë vetëm disa ditë...shumë shpejt.”

Ndoshta ky është shkaku që banorët në Nju Jork nuk duken të shqetësuar ndërkohë që transporti publik vazhdon të jetë tejet i renduar. Teste nga Qendrat për Kontrollin e Semundjeve pritet të konfirmojnë më shumë raste. Deri tani, rastet në Nju Jork duket të jenë nga kontakti me njerëzit që janë kthyer nga Meksika. //kh//

XS
SM
MD
LG