Lidhje

Ekspozita “Besa: Kodi i Nderit” në Strasburg


Këshilli i Evropës me seli në Strasburg e shënoi këtë vit Ditën e Holokaustit me hapjen e një ekspozite të re të titulluar “Besa: Kodi i Nderit” në nderim të shqiptarëve që ndihmuan hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Organizatorët e ekspozitës theksojnë se individët që nderohen në këtë veprimtari janë shembull i triumfit të shpirtit njerëzor dhe tregojnë se edhe në periudhat më të errëta ka individë që udhëhiqen nga parimet më të larta të njerëzimit:

Fotografi i njohur izraelit Norman Gershman prej pesë vjetësh është angazhuar në një projekt me titull: “Myslimanët që shpëtuan hebrenj gjatë luftës.” Me këtë projekt në mendje ai vizitoi edhe Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat i përfshiu në një libër të veçantë me titull “Besa: Kodi i Nderit; Shqiptarët që shpëtuan hebrenj gjatë luftës së dytë botërore”. Disa nga veprat e përfshira në këtë libër janë zgjedhur për një ekspozitë tematike në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg, që u hap me rastin e ditës së Holokaustit.

Shumë nga individët e nderuar në librin e fotografit Gershman dhe në ekspozitë nuk jetojnë më, por historitë e tyre mbeten të pavdekshme. 17 familjet e zgjedhura për këtë ekspozitë janë një shembull i vogël i kontributit të madh që dhanë shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata kujtohen në këtë aktivitet për guximin dhe vetmohimin e tyre, por mbi të gjitha për humanizmin që treguan ndaj një personi tjetër në nevojë. Është një zgjedhje e përshtatshme, thekson Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Terry Davis, që tregon se mirësia e njeriut triumfon edhe në kohërat më të errëta:

“Në mes të tmerreve dhe akteve çnjerëzore të Luftës së Dytë Botërore kishte akte të guximit dhe mirësisë njerëzore, shembuj të faktit që thellë brenda vetes njeriu është i lindur i mirë. Sot jemi mbledhur për të nderuar disa nga këta individë, shqiptarë të cilët, pavarësisht nga rreziku që u kanosej, ndihmuan hebrenj duke i shpëtuar nga nazistët.”

Ekspozita ‘Besa: Kodi i Nderit” u organizua me ndihmën e qeverisë shqiptare, Komisionit Izraelit në Kujtim të Holokaustit, Yad Vashem, dhe Këshillit të Evropës.

Ekspozita u hap për të përkuar edhe me 60-vjetorin e Këshillit të Evropës. Siç pohojnë edhe vizitorët, nuk ka mënyrë më domethënëse për të nderuar rolin e kësaj organizate të dedikuar për të bërë realitet parimet demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Këta individë treguan se humanizmi nuk njeh dallime etnike, fetare, apo gjuhësore. Shqipëria ishte një vend ku gjatë Luftës së Dytë Botërore asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve dhe numri i hebrenjve madje u shtua, falë mikëpritjes dhe humanizmit që treguan shqiptarët. //ad//

XS
SM
MD
LG